Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Mefail Bajqinovci ka reaguar ndaj kritikave të opozitës ndaj Kryeministrit Albin Kurti, i cili sot tha “jo vetëm patriotët më të devotshëm dhe punëtorët më të mëdhenj, por edhe studentët dhe punëtorët më të zotë i kemi në diasporë”.
Bajqinovci theksoi se këto sulme janë rezultat i shqetësimit të opozitës për mbështetjen e madhe që Kurti po merr nga qytetarët, raporton GazetaBlic.
Ai ka theksuar se opozita është duke tentuar të devijojë vëmendjen e publikut duke pretenduar një ndarje të paqenë mes mërgatës dhe qytetarëve të Kosovës.
Në fjalën e tij, deputeti ka kritikuar përpjekjet e opozitës për të përdorur taktika të tilla, duke i quajtur ato “të pabaza”. Ai ka theksuar se qytetarët janë të vetëdijshëm dhe nuk janë më të ndikuar nga këto lloj sulmesh.
“Populli është i vetëdijshëm brenda dhe jashtë vendit. Taktikat e opozitës nuk funksionojnë më. S’ka kthim mbrapa”, ka thënë deputeti, duke e theksuar se mbështetja e qytetarëve për kryeministrin Kurti është një realitet që nuk mund të injorohet.
E plotë:
Është e qartë se opozita është e shqetësuar nga tubimet masive dhe mbështetja që kryeministri Kurti po merr nga qytetarët. Përpjekjet e tyre për të devijuar vëmendjen duke pretenduar ndarje mes mërgatës dhe qytetarëve në Kosovë janë të pabaza. Ne e dimë se kush ka ofenduar vërtet qytetarët tanë brenda dhe jashtë vendi me epitete të ndryshme. Këto taktika nuk funksionojnë më—populli është i vetëdijshëm brenda dhe jashtë vendi.
S’ka kthim mbrapa.