Lajme

Bajqinovci: Serbia të sanksionohet dhe Radoiçiq të ekstradohet në Kosovë – rreziku për sulme terroriste vazhdon derisa ai është i lirë

12/24/2023 14:50
nga:G B

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar dje se mund të ketë sulme të reja në Kosovë nga ana e Serbisë, pas atij terrorist në Banjskë të Zveçanit, që ndodhi tre muaj më parë.

Shqetësimin e njëjtë me kryeministrin e ndan edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci.

Ai në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se rreziku vazhdon të jetë derisa Radoiçiq është i lirë, si organizues i sulmit të Banjskës.

Bajqinovci, i cili është dhe anëtar i Komisionit për Çështje të Sigurisë, e quan të pakuptimtë lënien e tij të lirë më pak se 24 orë pas sulmit, duke shtuar se ai e shfrytëzon kohën tani për hakmarrje.

“Kryeministri me të drejtë ka ngritur shqetësimin për rrezikun që paraqet për sigurinë e vendit fakti që një terrorist si Radoiçiq vazhdon të jetë i lirë. Për mua mbetet e pakuptimtë se si ai, përkundër dëshmive dhe pranimit nga vetë ai se ka qenë i përfshirë në sulmin terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit, është mbajtur në paraburgim më pak se 24 orë dhe është lënë i lirë. Çdo mendje e shëndoshë do ta dinte se Radoiçiq këtë kohë nuk e shfrytëzon për reflektim e meditim por për planifikim e hakmarrje. Për më tepër që institucionet tona të sigurisë kanë informacion për planet dhe përgatitjet e tij dhe grupi të tij”, vlerëson deputeti i VV-së për Gazeta Blic.

Ai kërkon që ndërkombëtarët të sanksionojnë Serbinë për sulmin në Banjskë, që nuk ka ndodhur ende dhe ekstradimin e Radoiçiq në Kosovë, pasi në të kundërtën Serbia do të vazhdojë me sjellje agresive dhe sulme të tilla.

“Andaj, komuniteti ndërkombëtar dhe partnerët tanë duhet të jenë më të zëshëm dhe kërkues ndaj Serbisë. As Serbia e as Radoiçiq nuk kanë pasur asnjë pasojë prej ngjarjeve të 24 shtatorit tash e 3 muaj. Serbia duhet të sanksionet nga bota demokratike. Radoiçiq duhet të ekstradohet në Kosovë. Përndryshe do të vazhdojmë të jemi të rrezikuar nga sjellja agresive e Serbisë dhe sulmet e grupeve paramilitare te saj”, deklaron deputeti Mefail Bajqinovci./Gazeta Blic/

“Në siguri s’lejohen blofet e populizmat nga Qeveria”/ Bekë Berisha: Rrezikshmëria për sulme nga Serbia është e lartë

Kryeministri Kurti: Radoiçiq po përgatit sulme të reja ndaj Kosovës

Kurti alarmoi për sulme të reja, KFOR tregon si ushtarët amerikanë po patrullojnë për siguri afër Leposaviqit