Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka komentuar vendimin edhe të AAK-së për të mos votuar ligjet në Kuvendin e Kosovës.
Ai në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se inatet e opozitës kanë kaluar kufijtë e racionalitetit shtetëror dhe ajo është në gjendje t’i bëjë çfarëdo dëmi shtetit.
“Është e qartë se inatet e opozitës kanë kaluar kufijtë e racionalitetit shtetëror e kombëtar tash e një kohë të gjatë. Opozita jonë është në gjendje të bëjë çfarëdo dëmi shtetit nëse beson se kjo do ta dëmtojë sadopak edhe Qeverinë”, thotë ai për Gazeta Blic.
Sipas Bajqinovcit, opozita po tregon se s’mund të qëndrojë pa pushtet.
“Me këtë ata po tregojnë se nuk mund të qëndrojnë pa pushtet. E tash, pamundësia e tyre për të jetuar jashtë pushtetit, le të mbetet në imagjinatën e qytetarëve se nga çka nxitet dëshira për të implementuar politika publike në një ambient demokratik, apo diçka tjetër. Unë mendoj se është kjo e dyta”, deklaron deputeti Mefail Bajqinovci./Gazeta Blic/


