Lajme

Bajqinovci i reagon Stanos: Ura e Ibrit duhet të hapet, ajo nuk është pjesë e dialogut sepse Kosova nuk është pjesë e Serbisë

07/23/2024 15:32
nga:G B

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se çështja e Urës së Ibrit është pjesë e dialogut Kosovë-Serbi dhe se palët s’duhet të ndërmarrin veprime të njëanshme e të pakoordinuara.

Lidhur me këtë, deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci, në një prononcim, Gazeta Blic, thotë se Ura duhet të hapet dhe BE është pro lëvizjes së lirë.

Deklaratën e Stanos ai nuk e quan të mirë, e as Ura e Ibrit të jetë pjesë e dialogut.

“Unë mendoj që vet BE si proces mekanizëm është për t’i hapur urat e për lëvizjen e lirë, andaj mendoj që ura e Ibrit duhet të hapet dhe mendoj që pengesat në ura nuk janë kulturë e BE-së, kufijtë, urat dhe të gjitha gjërat për lëvizjen e lirë mendoj se është deklaratë jo e mirë e zëdhënësit të BE-së, andaj mendoj që vet BE është i ndërtuar si mekanizëm i cili është për lëvizjen e lirë të njerëzve. Mendoj se deklarata e tillë s’është e mirë dhe mendoj që Ura e Ibrit duhet të hapet e nuk duhet të jetë pjesë e dialogut me Serbinë sepse territori i Kosovës nuk është pjesë e Serbisë. Çështja e Urës së Ibrit është imediate për shkak se i afron njerëzit dhe e siguron lëvizjen e lirë dhe ura s’duhet të jetë pjesë e diskutimeve në Bruksel”, thekson ai.

I pyetur nëse sheh mundësi për tensione në rast të hapjes së kësaj ure, deputeti i VV-së shprehet se nuk e sheh një rrezik të tillë, pasi sipas tij kriminelët e terroristët që i kanë shkaktuar tensionet nuk janë më, e qytetarët janë të interesuar të bashkëjetojnë dhe të integrohen në institucionet e Kosovës.

“Jo nuk mendoj sepse kriminelët, vrasësit dhe terroristët që kanë bërë tensione të tilla më nuk janë dhe shihet se qytetarët janë të interesuar të bashkëjetojnë dhe të integrohen në institucionet e Kosovës dhe unë nuk e shoh asnjë problem hapjen e urës së Ibrit. Kemi hapur shumë gjëra të tjera më të rëndësishme brenda veriut dhe unë  besoj që kjo çështje nuk do të shkaktojë tensione”, deklaron deputeti Mefail Bajqinovci./Gazeta Blic/

Stano: Ura e Ibrit është çështje e dialogut, të shmangen veprimet e pakoordinuara e të njëanshme