Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka apeluar sot ndaj qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, të përfshihen në procesin e regjistrimit për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, raporton GazetaBlic.
Në një deklaratë publike, Bajqinovci ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje dhe ka ftuar bashkëatdhetarët që të mos humbasin mundësinë për të regjistruar veten deri më 26 dhjetor 2024, që është afati i fundit për regjistrim. Ai theksoi se procesi është i thjeshtë dhe mund të realizohet përmes platformës online të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
“Çdo votë e juaj është e rëndësishme si asnjëherë më parë. Me votën tuaj, mund të sigurojmë që në Kosovë të mos kthehet korrupsioni dhe ndikimi i Beogradit, as koalicioni me Listën Serbe. S’ka kthim mbrapa!” – tha Bajqinovci.
Afati për regjistrim është deri më 26 dhjetor 2024. Bajqinovci ka inkurajuar të gjithë qytetarët që jetojnë jashtë vendit të përfshihen në këtë proces, duke shtuar se çdo votë është një hap më shumë për të siguruar një të ardhme më të sigurt dhe pa korrupsion për Kosovën.
Regjistrimi është i thjeshtë dhe mund të bëhet online, duke vizituar platformën e KQZ-së për të kryer regjistrimin në mënyrë të shpejtë dhe të sigurt.