Lajme

Bajqinovci: Fryma dhe faktet për largimin e masave të BE-së, janë në komunat në veri, duhet vetëm vullneti i BE-së!

07/05/2024 13:41
nga:N K

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka deklaruar se Kosova duhet të krijojë frymë të re që të hiqen masat e vendosura nga Bashkimi Evropian.

Lidhur me këtë çështje në një prononcim për GazetaBlic, u deklarua deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci.

Ai tha se fryma dhe faktet për largimin e masave të BE-së janë aty (komunat në veri) vetëm se duhet vullneti i BE-së.

“Unë para disa ditësh isha në Leposaviq dhe Zveqan. I vizitoj shpesh komunat në veri. Fryma dhe faktet për largimin e masave të BE-së janë aty. Tash duhet vetëm vullneti i BE-së”, deklaron deputeti Mefail Bajqinovci për ‘GazetaBlic’.

Në qershor të vitit 2023, Bashkimi Evropian, vendosi masa ndaj Kosovës për shkak se konsideruan se nuk janë ndërmarrë veprime nga ana e Qeverisë për shtensionim të situatës në veri të vendit.

“Kemi pezulluar përkohësisht punën e organeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Kosova gjithashtu nuk do të ftohet në ngjarje të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre të fokusuara në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Programimi i fondeve për Kosovën në kuadër të ushtrimit programor IPA 2024 është vënë gjithashtu në pritje. Propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WIBF) nuk janë dorëzuar për shqyrtim në Bordin e WBIF më 29-30 qershor”, pati deklaruar zëdhënësi i BE-së.

/GazetaBlic/