Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, në një intervistë për Gazeta Blic, ka ndarë të njëjtin shqetësim më kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, lidhur me rrezikun për sulme të mundshme nga Serbia.
Ai thotë se këto shqetësime duhet të merren seriozisht nga bashkësia ndërkombëtare dhe t’i bëhet presion qeverisë serbe, e cila nuk ka marrë mësim nga rasti i Banjskës, pasi ndaj saj s’ka pasur sanksione.
“Është e vërtetë që Serbia po përgatitet dhe informatat nuk janë vetëm nga institucionet e sigurisë por edhe nga mediat, ku kanë treguar për grupe të mëdha që po trajnohen dhe kjo më është publike dhe ka shqetësime nga deputetët gjermanë që treguan se Serbia po përgatitet por edhe zëra në Serbi, se mund të ketë sulme të përmasave të nivelit më të madh, të terroristëve e kriminelëve që kanë funksionuar në veri por të nivelit më të gjerë dhe këtë shqetësim është normal që kryetari i Kuvendit e ka bërë publike që bashkësia ndërkombëtare të bëjë më shumë presion mbi qeverinë e Beogradit sepse Beogradi nuk ka marrë mësim sepse Banjska nuk ka treguar që be deri më sot nuk e ka marrë asnjë masë ndaj Serbisë, përpos një rezolute që ka qenë në BE, rezolutë e cila ka qenë vetëm deklarative dhe s’ka pasur asnjë sanksion për Serbinë”, shprehet ai.
Sipas Bajqinovcit, Kosova duhet të përgatitet me të gjitha mjetet, në rast të ndonjë sulmi.
“Unë mendoj, edhe si deputet i Kuvendit se në rast të sulmit më të gjerë të Serbisë ne duhet të përgatitemi me të gjitha mjetet e mundshme që ta mbrojmë territorin e Republikës së Kosovës, Kushtetutën, me çdo formë dhe çdo mundësi, pa marrë parasysh se çka duhet të përdoret”, potencon deputeti Mefail Bajqinovci./Gazeta Blic/
Konjufca: Serbia të ndëshkohet, ekziston rreziku i përsëritjes së sulmit terrorist