Kryetari i komunës së Mitrovicës jugore, Agim Bahtiri, i ka drejtuar një kërkesë policisë nga të cilët kërkon që të shtrijnë autoritetin e tyre sipas ligjit në gjithë fshatrat e kësaj komune.
Veriu.info ka siguruar kërkesën e Agim Bahtirit drejtuar Drejtoreshës Rajonale të Policisë në Mitrovicë, Afërdita Mikullovci, ku i kërkon policisë që të shtrijë juridiksionin në vendbanimet Suhodoll, Gushavc, Vinarc i poshtëm, Vinarc i epërm dhe Vidimriq.
Kërkesa e Bahtirit drejtuar policisë ka të bëjë me faktin se në këto fshatra të Mitrovicës së jugut prej pasluftës e deri tash autoritetin e ushtron policia e stacionit të Mitrovicës së veriut, përdersa kryetari Bahtiri kërkon nga policia që në përputhje me ligjin tash e tutje në këto fshatra të ushtroj juridiksionin policia e stacionit të Mitrovicës së jugut.
Ndryshe, këto fshatra gjenden matanë lumit Ibër por i takojnë Mitrovicës jugore, ishin bërë temë diskutimi deri në Bruksel ku Serbia kërkonte ato të mbeteshin me Mitrovicën e veriut, por kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri prej vitit 2015 nuk po pranon nënshkrimin e kufirit administrativ mes dy komunave të Mitrovicës, me arsyetimin se nuk pranon t’i jap territore komunës së veriut më shumë se që parashihen me Planin e Ahtisarit.