Krenar Xhaferi ka arritur të bëhet deputet i LDK-së dhe ka thënë se rruga me plot sfida sapo ka nisur.
I njohur me nofkën si “Bageri” i Prishtinës për shkak të punëve që ka bërë si drejtor i Investimeve kapitale në kryeqytet, Xhaferi ka thënë se ka bërë fushatë të ndershme, duke u bazuar se politika është një shërbim i pastër ndaj qytetarëve.
Ai këtë e ka quajtur si fillim të ri në karrierën e tij politike.
“Ju falënderoj nga zemra – juve, 19.115 votues të LDK-së që më keni dhënë besimin tuaj! Falë mbështetjes së jashtëzakonshme, për herë të parë më është dhënë mundësia të bëhem zëri juaj në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Xhaferi në një postim në rrjetin social Facebook.
“Ky rezultat nuk është vetëm i imi – është edhe i juaji, i secilit prej jush që keni besuar, shpresuar dhe punuar për të. Më keni dhënë nderin e jetës dhe më keni ngarkuar me përgjegjësinë më të madhe: të jem zëri dhe forca juaj”, ka shtuar ai.
“Rruga jonë sapo ka nisur dhe sfidat para nesh janë të shumta, por jam i sigurt se me bashkëpunimin tuaj të vazhdueshëm, do t’i arrijmë sukseset që na presin”, ka thënë Xhaferi.
“Jam krenar që përshkova një fushatë të ndershme, të bazuar në parime të forta dhe përkushtim të palëkundur, duke besuar se politika është një shërbim i pastër ndaj qytetarëve”.
Xhaferi ka thënë se do të jetë gjithmonë pranë qytetarëve.
“Ky nuk është fundi, por një fillim i ri. Premtimi im mbetet i njëjtë: do të jem gjithmonë pranë jush, do të punoj për ju dhe me ju, për një Kosovë më të mirë, për një të ardhme më të ndritur, për ëndrrat dhe shpresat tona të përbashkëta”, ka thënë ai.
“Një falënderim i veçantë shkon për familjen time, për mbështetjen pa kushte dhe dashurinë e përzemërt që më kanë dhënë në çdo hap të këtij udhëtimi”.


