Lajme

Babai në Vushtrri kërcënon me sakicë fëmijët dhe ushtron dhunë në familje

04/28/2025 11:15
nga:Gazeta Blic

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në Vushtrri, ku një burrë ka ushtruar dhunë ndaj fëmijëve dhe vajzës së tij.

Siç mëson Sinjali, më 27 prill 2025, një qytetar ka raportuar në Policinë e Kosovës se babai i tij,rreth 72-vjeçar, ka ushtruar vazhdimisht dhunë fizike dhe psikike ndaj tij, motrës dhe fëmijëve të tyre.

Mirëpo, ngjarja e rëndë kishte ndodhur një ditë më parë, më 26 prill, rreth orës 15:55, kur i dyshuari kishte kërcënuar dhe fyer fëmijët me fjalë të rënda: “Ku je deri tash, a din që qohna të myti me sakicë?”.

I njëjti më pas, kishte marrë një sakicë dhe kishte kërcënuar t’i sulmonte, por ndërhyrja e djalit të tij parandaloi një tragjedi të mundshme.

Pas raportimit në Polici, i dyshuari është shoqëruar dhe intervistuar nga Njësia e Hetimeve për Dhunë në Familje, ku ndaj tij në koordinim me Prokurorinë është iniciuar rasti “Dhunë në Familje”.

Megjithatë, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Hetimet për këtë rast të rëndë janë në vazhdim.