Lajme

“Babai i paralizuar, nëna e sëmurë”- Historia e Enea Thomaraj i cili vdiq nga tritoli në Elbasan, s’kishte lidhje me ngjarjen

10/04/2024 19:42
nga:Y I

Enea Thomaraj, 29 vjeç, ka ndërruar jetë në spital pas disa muajsh në gjendje të rëndë, si pasojë e shpërthimit të tritolit në banesën e motrave Nikolli në Elbasan.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 14 korrik, kur një sasi eksplozivi u vendos në hyrjen e apartamentit të fqinjit, duke lënë të plagosur rëndë Thomarajn, i cili nuk kishte asnjë lidhje me konfliktin.

Gazetarja e Euronews Albania, Edlira Xherri ka thënë në emisionin “People” se Enea ishte i vetmi që punonte në familjen e tij, kjo sepse babai i tij ishte i paralizuar, nëna dhe vëllai ishin të sëmurë gjithashtu.

“Aktualisht të gjithë fqinjët po përcjellin për në banesën e fundit 29 vjeçarin. Nga informacionet që kam siguruar është një humbje tejet e madhe për familjen. Një familje me tre persona të sëmurë, babai i paralizuar, nëna është e sëmurë dhe vëllai i Eneas ishte i sëmurë. Vetë Enena ishte i vetmi nga familjarët që punonte në këtë familje,” –tha gazetarja.

Burime thonë se Policia ka identifikuar personin e dyshuar, por për arsye hetimi, emri i tij nuk bëhet i ditur.

Për atentatin motrat Nikolli kanë akuzuar të penduarin e drejtësisë, Nuredin Dumanin, me të cilin njëra prej tyre kishte nisur një romancë.