Babai i Mario Mitaj ka folur në një intervistë së fundmi ku shprehet mbi të ardhmen e djalit të tij. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare është kthyer në një element të kërkuar në merkato ku disa klube, kryesisht italiane, kanë shprehur interes.
“Lokomotiva e trajton shumë mirë Marion, por ndihet pak i vetmuar. S’ka me kë të shoqërohet e të kalojë kohën. Ne si prindër ende nuk e kemi vizituar në Rusi për shkak të situatës politike.
Mario dëshiron të transferohet në një ekip tjetër ku do të ketë më shumë besim. Ka interes nga Italia dhe vende të tjera, por duhet parë se çfarë do të kërkojë Lokomotiva për transferimin e tij”, tha i ati i Mitajt.
Në mediet italiane është përfolur për Juventusin fillimisht, ndërsa javët e fundit ka qenë Lazio ajo që ka shprehur interes më konkret. Mbetet të shihet ç’do të ndodh pasi lojtari është nën kontratë me klubin rus.