Munir Nasraoui, babai i yllit të Barcelonës, Lamine Yamal, është përfshirë në një incident të rëndë në aeroportin e Barcelonës, pak para nisjes drejt Londrës për ceremoninë e Topit të Artë, raportojnë mediat spanjolle.
Sipas gazetës “Crónica Global”, dëshmitarët pretendojnë se Nasraoui u përfshi në një debat me një punonjëse të një kafeneje në aeroport, i cili më pas dyshohet se degjeneroi në përplasje fizike. Sipas të njëjtave raportime, ai e kishte pështyrë punonjësen në fytyrë dhe më pas ishte përplasur edhe me persona të tjerë që ndërhynë në konflikt.
Mediat raportojnë gjithashtu se babai i futbollistit dyshohet se mori një karrige, në një moment kur situata ishte përshkallëzuar, përpara se të ndërhynte policia e aeroportit. Megjithatë, pavarësisht pretendimeve për incidentin, Nasraoui thuhet se udhëtoi drejt Londrës.
Sipas raportimeve, konflikti nisi për shkak të një xhakete të lënë në një zonë të kufizuar të aeroportit. Kërkesa për ta larguar atë dyshohet se shkaktoi reagimin e ashpër të Nasraouit.
Ndërkohë, në qendër të vëmendjes ka qenë edhe xhaxhai i Lamine Yamalit, Abdul Abdellaoui, i cili kritikoi vendimin për çmimin e Topit të Artë gjatë një transmetimi në “El Chiringuito TV”. Ai deklaroi se nipi i tij meritonte më shumë vlerësim, duke vënë në pikëpyetje zgjedhjen e fituesit.
/GazetaBlic Sport/


