Sporti

Azpilicueta: Spanja duhet patjetër ta bllokojë këtë lojtar të Italisë

07/04/2021 14:25
nga:Lorik J

Cesar Azpilicueta është i lumtur që takon shokun e tij të ekipit tek Chelsea, Jorginho në gjysmëfinalet e UEFA Euro 2020 midis Italisë dhe Spanjës, por paralajmëron që La Roja duhet të ndalojë mesfushorin e Italisë.

Azpilicueta dhe Jorginho kanë fituar Ligën e Kampionëve me Chelsea këtë sezon dhe do të takohen përsëri në Wembley, në gjysmëfinalen e EURO 2020 midis Italisë dhe Spanjës të martën, shkruan footballitalia.

“Ne kemi një grup Whatsapp me shokët tanë të Chelsea, por do të jetë mirë të takohemi përsëri në fushë”, tha Azpilicueta në një konferencë për shtyp.

“Kjo është arsyeja pse futbolli është i shkëlqyeshëm, tani ne do të japim më të mirën për ekipet tona kombëtare. Jorginho ka provuar të jetë një lojtar vendimtar për Italinë”.

“Ai ka cilësi të rëndësishme, i pëlqen ta mbajë topin në këmbë dhe të kontrollojë lojën. Nëse e kufizojmë përfshirjen e tij, do të kemi më shumë shanse për t’u kualifikuar në Finale”, përfundoi Spanjolli.