Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit ka njoftuar se ka shpallur “persona non grata” dy punonjës të ambasadës së Francës për “sjellje që nuk është në përputhje me statusin e tyre diplomatik”.
Ata e kanë thirrur në takim ambasadoren franceze Anne Bouillon për t’u ankuar, pa dhënë asnjë detaj për incidentin që shkaktoi këtë reagim, raporton Reuters.
“U shpreh një protestë e fortë për veprimet e dy punonjësve të Ambasadës Franceze që ishin të papajtueshme me statusin e tyre diplomatik dhe që bien ndesh me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961, dhe u vu në dijeni të ambasadorit francez se ata u shpallën “persona non-grata” (persona të padëshiruar) nga Qeveria e Azerbajxhanit”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se këtyre personave iu kërkua të largoheshin nga territori i Azerbajxhanit brenda 48 orëve dhe nota përkatëse iu paraqit palës franceze.