Lajme

Azemi tregon planin e LDK-së për energjinë, përmend ndërtimin e një centrali të ri me gaz

12/11/2024 10:06
nga:Sh R

Kandidati për deputet në LDK, Visar Azemi, ka dhënë detaje rreth planit për zhvillimin e infrastrukturës dhe sektorit të energjisë, që u prezantua mbrëmë në Mitrovicë.

Azemi thotë se ky është një hap i madh për vendin tonë, duke siguruar mundësi të reja dhe duke e bërë Kosovën më të fuqishme në fushën e energjisë dhe zhvillimit ekonomik.

Ai tregon se ky problem do të realizohet me një investime prej 500 milionë euro, i financuar nga Fondi i Kursimeve Pensional.

Ndër të tjera ai ka përmendur ndërtimin e një centrali me gaz, ku e cilëson si një nga projektet më të rëndësishme.

Postimi i plotë:

Sonte në Mitrovicë prezantuam planin tonë të ri për zhvillimin e infrastrukturës dhe sektorit të energjisë.

Ky plan është një hap i madh përpara në angazhimin tonë për një të ardhme më të qëndrueshme për Kosovën, duke siguruar mundësi të reja dhe duke e bërë vendin tonë më të fuqishëm në fushën e energjisë dhe zhvillimit ekonomik.

Një nga projektet më të rëndësishme që prezantuam është ndërtimi i Centralit të ri me gaz – i cili do të ndërtohet në Ferizaj – me kapacitet prej 500 MË, i cili do të mundësojë furnizimin me energji elektrike të sigurt dhe të qëndrueshëm.

Ky projekt do të realizohet me një investim prej 500 milionë eurosh, i financuar nga Fondi i Kursimeve Pensionale, dhe do të sjellë një kthim të dyfishtë të investimeve që ky fond merr aktualisht në tregjet ndërkombëtare.

Kjo është një mundësi e shkëlqyer për diversifikimin e burimeve të energjisë dhe për të siguruar një furnizim të qëndrueshëm dhe ekologjikisht më të pastër për të ardhmen. Partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në ndërtimin e këtij centrali, do t’i japë Kosovës sigurinë dhe pavarësinë energjetike.

Krahas këtij projekti, do të bëhen investime në gazifikim dhe ndërtimin e ngrohtoreve qendrore në qytetet kryesore të vendit, investime në efiçiencën e energjisë e rehabilitimin e Kosovës B. TVSh-ja për faturat e energjisë elektrike do të jetë zero.

Me këto investime, ne synojmë të krijojmë mundësi të reja për zhvillim dhe të pozicionojmë Kosovën si lider në sektorin e energjisë në rajon.
Ky plan, që e prezantuam sot në Mitrovicë, është një angazhim i fortë për të ardhmen e Kosovës dhe sigurinë energjetike të vendit.