Lajme

Azemi: Shpresoj se situata e krijuar sot në veri, nuk do përsëritet më

05/29/2023 23:42
nga:L J

Ish-zëvendëskryesues i Kuvendit në Mitrovicën e Veriut, Emir Azemi ka thënë se shpreson se situata e krijuar sot në veri të Kosovës, të mos përsëritet nesër apo në të ardhmen.

Azemi në Edicionin Special të Klan Kosovës, ka thënë se interesi i të gjithëve është që të mbizotërojë qetësia.

“Shpresoj se kjo situatë nuk do përsëritet nesër apo në ardhmen e afërm. Duke marr parasysh në këtë pjesë, është interes i të gjithëve që të mbizotërojë qetësia, kjo u konvenon edhe serbëve. Siç duket elementet radikale të përkrahura edhe nga Serbia e kanë përdorë këtë situatë për të shkaktuar telashe, ishte pretekst gjoja se kryetarët e zgjedhur nuk mund ta ushtrojnë mandatin dhe detyrën në këto objekte komunale”, ka thënë Azemi.

“Unë mendoj që në këto rrethana duhet të gjendet një zgjidhje më afatgjatë. Faktori ndërkombëtar në këtë rast edhe Prishtina dhe Beogradi, meqë janë dakorduar për një marrëveshje më të gjerë, brenda atij plani duhet të gjendet një plan afatgjatë për të tejkaluar problemet”.