Lajme

Azemi: Punëtorët ne sektorin privat po trajtohen si gjëja më e thjeshtë njerëzore

07/04/2024 19:46
nga:Sh R

Një person gjatë ditës së sotme ka humbur jetën në QKUK, ku ditë më parë ishte rrëzuar nga një objekt banesor, ku po punonte në qytetin e Lipjanit.

E për këtë çështje, ka folur nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat, Jusuf Azemi i cili tha se Kosova prin e para për rastet e vdekjeve në vend të punës.

Azemi tha se sindikata ka kërkuar nga Qeveria që familjarëve të viktimave të iu ofrohet një fond për shpenzimet elementare për ceremoninë e varrimit.

Derisa, ai shtoi se pronari i kompanisë, duhet t`a njoftojë punëtorin për rreziqet që ata i kanë dhe t`iu ofrojë kushte maksimale, e sidomos në temperaturat e larta.

Azemi ka thënë se punëtorët në sektorin privat po trajtohen shumë më keq se të tjerët.

“Ne si sindikatë kemi kërkuar që këtyre rasteve të ju ndihmohet materialisht dhe Qeveria t’a ketë një fond të veçantë për pagesën e shpenzimeve elementare në ceremoninë e varrimit.Ne po trajtohemi si gjëja më e thjeshtë njerëzore në raport me të tjerët, është e rëndë. Ne disa herë e kemi thënë, se ne fatkeqësisht prijmë të parët në rajon për rastet e vdekjeve në vendin e punës. Pronari i kompanisë duhet t’a njoftojë punëtorin me rreziqet që i kanë, në rend të dytë duhet të krijojë kushte maksimale, sidomos në këto temperaturat e larta. Ka raste të cilat nuk iu ofrohen pajisjet adekuate”, ka deklaruar Azemi në emisionin “Ditari”.

Ndërkohë, ai ka përmendur edhe pagat e ulëta të sektorit privat, ku siç tha ai nuk e sheh perspektivën asnjë punëtor.

“Tani në Kosovë nuk ka profil sektor i punëtorëve në Kosovë që nuk mungon. Ky numër do të rritet sepse me një pagë 250 euro dhe 270 euro, nuk e sheh perspektivën askush…ka raste që vdesin nga presioni, stresi dhe për neve janë vdekje në vend të punës”, tha ai ndër të tjera.