Lajme

Azemi jep detajet lidhur me grevën në UP: I kemi marrë kontratat, në javët në vazhdim ndërmarrim veprime sindikale

03/19/2024 12:29
nga:N K

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, në një intervistë për GazetaBlic, ka folur rreth kontratave, grevës dhe pezullimit të saj në Universitetin e Prishtinës.

Ai tregon se dje kanë marrë kontratat e punës dhe në vazhdimësi pritet të merret një vendim se nuk do të lajmërohen në punë.

“Është java e pestë tani që duhet të jemi në grevë, ne e kemi pezulluar grevën derisa i kemi marrë kontratat e punës sepse pa kontrata realisht nuk jemi punëtorë të askujt, dje ne i kemi marrë kontratat dhe menjëherë në ditët në vazhdim sipas gjitha gjasave do të merret një vendim që nuk do të lajmërohemi fare në punë sepse ligji na e lejon këtë”, tha ai për GazetaBlic.

Azemi shtoi se punëtorëve ju është thënë që t’i pranojnë këto kontrata, sepse do të ketë një kontratë për vazhdimin e kërkesave të tyre, ndërsa është marrë informacioni se disa punëtorë nuk do t’i nënshkruajnë këto kontrata.

“Punëtorëve ju kemi thënë që t’i pranojnë kontratat e punës sepse ne do të kemi një kontratë pune për vazhdimin e kërkesave tona. Disa punëtorë kanë marrë informacione se disa punëtorë të tjerë nuk do t’i  nënshkruajnë këto kontrata sepse duan të lirojnë vendin e punës”, deklaroi ai për GazetaBlic.

Tutje, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve tha se kur një punëtor ka munguar në punë, nga bizneset është bartur puna tek tjetri dhe paga është marrë për vete.

“Ne do të kontrollojmë në tërësi sepse këta pronarë shumicën e rasteve kur një punëtorë ka munguar, është bartë puna tek punëtori tjetër dhe pagën e kanë marrë për vete”, tha Azemi.

Ai tutje paralajmëroi se në javët e ardhshme sipas gjitha mundësive do të ketë veprime sindikale.

“Besoj që javën tjetër do të kemi veprime sindikale e cila sipas gjitha gjasave do të vijë deri te ajo sepse ne kemi të drejtën me ligj që të mos shkojmë në punë”, u shpreh Azemi.

Ndër të tjerash, ai përmend se çështja e grevës është respektuar dhe se punëtorët nuk janë sanksionuar në paga, se kanë pasur mbështetje dhe se pavarësisht mungesës në punë pagat kanë vazhduar, tanimë edhe marrja e kontratave./GazetaBlic/