Lajme

Azem Vllasi: Dinari ktheu presionin kundër Kosovës, u harrua sulmi në Banjskë

03/08/2024 16:38
nga:Y I

Avokati dhe njohësi i çështjeve politike Azem Vllasi ka deklaruar se dinari nuk është problem real.

“Puna me dinarin nuk është problem real ngase Serbia të gjitha ndihmat për Serbët e Kosovës mund t’i konvertoi në Euro. E në Kosovë shfrytëzuesve të këtyre ndihmave më shumë u duhen eurot sesa dinari”, është shprehur Vllasi.

Sipas tij këtë situatë më së miri e shfrytëzoi presidenti serb Aleksandër Vuçiq.

“Por Vuçiqi këtë e shfrytëzoi për ta vështirësuar dialogun ngase ai nuk dëshiron normalizim final të raporteve me Kosovën që do të nënkuptonte njohje. Me rastin e dinarit presionet u kthyen kundër Kosovës dhe kjo Vuçiqit po ashtu i konvenon. U harru sulmi terrorist në Banjska”, ka thënë ai.

Por, se a po shfrytëzohet këmbëngulësia e kryeministrit Kurti në këtë çështje, për shkak që zgjedhjet parlamentare sipas rregullave mbahen vitin tjetër, Vllasi ka deklaruar se votat fitohen duke bërë punë të mira për shtetin.

“Votat në zgjedhje fitohen duke bërë punë të mira për popullin dhe shtetin. Garuesve në zgjedhje u mbetet të vlerësojnë se si i bindin votuesit çka është mirë e çka keç dhe si t’i fitojnë votat”, ka shtuar Vllasi, për Front Online.