Avokati Adrian Bajraktari, i ftuar në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, ka folur për manipulimin e votave gjatë rinumërimit të rezultateve të kandidatëve për deputet dhe për pasojat ligjore për personat e përfshirë në këto parregullsi.
Bajraktari ka sqaruar se personat që ndërhyjnë në rezultatet e votave mund të dënohen sipas ligjit.
“Është e rëndësishme të theksohet se ky nen ka dy paragrafë. Paragrafi i parë fillon me ‘kushdo’, që nënkupton se kryesit e këtyre veprave mund të jenë çdokush, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, që ka ndërhyrë në rezultatet e votimit, ka ndihmuar ose ka nxitur këto veprime. Për këtë, shkalla e dënimit është deri në 3 vite burgim. Ndërsa kur këto vepra kryhen nga persona të mandatuar, si komisionerët, dënimi shkon nga 2 deri në 5 vite burgim.”, ka thënë Bajraktari
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së integritetit të procesit zgjedhor.
“Kur flasim për ruajtjen e integritetit, nuk duhet të harrojmë se fenomeni i manipulimit të votave ka qenë i shprehur edhe në të kaluarën. Është detyrë e prokurorisë në këtë fazë dhe pastaj e gjykatës në fazën pasuese të veprojë pa kompromis. Vetëm kështu mund të ruhet integriteti i procesit zgjedhor.”, u shpreh tutje ai.
Bajraktari ka theksuar se veprimet e tilla nuk duhet të mbeten pa ndëshkuar, duke siguruar se ligji zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë personat e përfshirë.


