Lajme

Avokati Tomë Gashi: Rasti i vrasjes së Lulzim Fejzullahut është krejtësisht ordiner

01/24/2024 12:36
nga:G B

Avokati Tomë Gashi ka folur lidhur me rastin e  vrasjes brutale të të riut nga Podujeva, Lulzim Fejzullahu.

Gashi që tashmë zyrtarisht është edhe avokat i familjes Fejzullahu ka folur në emisionin Magazinë në Radio Dukagjin.

Ai ka thënë se ka qenë kërkesa e familjes së viktimës, gjegjësisht axhës së tij që ti përfaqësoj pranë organeve kompetente.

Sa i përket deklarimeve të të akuzuarve në gjykatë, avokati Gashi ka thënë se janë informuar nga prokuroria se tashmë në deklarimin e tyre ata kanë mohuar epilogun e këtij rastit, përkatësisht vrasjen e Lulzim Fejzullahut.

Kurse sa i përket raportimit të policisë i cili dyshohet se ka pasur lëshime lidhur me rastin, Gashi ka thënë se tashmë ka dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm si përfaqësues i familjes së viktimës në Inspektoratin Policor të Kosovës, institucion ky i cili po merret gjithashtu me rastin dhe se  sipas tij “për pak ditë pritet të dorëzohet një raport nga ky institucion” se çfarë ka ndodhur me raportin e policisë.

Sa i përket dënimeve me vdekje për të cilat Gashi ka folur më parë, ka thënë se “shqiptarët nuk mbushen mend” derisa nuk marrin dënime kapitale.

“Vetëm mundësia e shqiptimit kapital” mund të jetë si masë parandaluese.

Ai ka thënë se rasti i ndodhur në Podujevë s’ka të bëjë me politikën, por sipas tij është rast “krejtësisht ordiner”, ka thënë ndër të tjera avokati Gashi në Radio Dukagjini.