Avokati që mbron familjen e së ndjerës Liridona Ademaj, ka treguar për gjendjen aktuale të fëmijëve të saj, të cilët ndodhen në Suedi.
Avokati Leutrim Syla ka sqaruar se fëmijët, të cilët kanë vetëm pasaporta suedeze dhe nuk kanë vizituar Kosovën pas ngjarjes tragjike, janë të vendosur përkohësisht në një qendër për punën sociale atje, pasi pas hetimeve autoritetet suedeze i morën ata nga prindërit e Naim Bunjakut, bashkëshortit i Liridonës, i akuzuar për vrasjen.
“Fëmijët janë shumë të mërzitur dhe janë të vetëdijshëm për rastin. Ata e dinë se nënën e tyre nuk do ta shohin më, dhe janë në një gjendje të rëndë emocionale. Ata kanë shprehur dëshirën për të vizituar varrin e nënës dhe për t’i sjellë lule”, ka deklaruar Syla.
Ai po ashtu vlerësoi qasjen profesionale të autoriteteve suedeze, të cilët po punojnë për të kuptuar ndikimin e tragjedisë mbi zhvillimin mendor të fëmijëve, duke ofruar mbështetje psikologjike të vazhdueshme.
Sipas tij, familja e Liridona Ademaj takohet rregullisht me fëmijët, përfshirë edhe Leonardo, por avokati ka theksuar se kjo situatë ka lënë një pasojë të thellë psikologjike për ta.
“Fëmijët janë në Suedi, kanë pasaporta vetëm suedeze. Nuk kanë ardhur në Kosovë pas rastit asnjëherë. Për shkak të një kërkese absurde të prindërve të Naimit, kanë qenë me prindërit e Naimit. Por pasi shteti suedez ka hetuar rastin i ka marrë nga besimi i fëmijëve tek prindërit e Naimit dhe tani janë tek qendra për punën sociale atje. Familja e Liridonës takohet vazhdimisht me ta, ka qenë edhe Leonardi edh e nëna e Leonardit, megjithatë gjendja e tyre nuk është emirë, janë shumë të mërzitur”, ka deklaruar Syla.