Lajme

Avokati: Qeveria të adresojë urgjentisht kërkesën e mbrojtjes së Thaçit

08/22/2024 19:45
nga:Genita C

Avokati, Valdet Hoxha ka kërkuar që Qeveria të adresojë shpejt të gjitha problemet e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Hoxha në një përgjigje për GazetaBlic thekson se, qysh kur është miratuar formimi i Gjykatës Specialë, është siguruar që edhe shpenzimet e mbrojtjes të mbulohen.

“Mbështetja e kërkuar nga ekipi mbrojtës i Thaçit duhet të adresohet shpejt nga Qeveria dhe të shikohen modalitetet që problemet e mbrojtjes për çështjet financiare të shmangen si pengesë”, tha Hoxha.

“Kosova ka miratuar formimin e Gjykatës Speciale dhe po ashtu ka siguruar që shpenzimet e mbrojtjes do të mbulohen, prandaj nuk ka arsye që mungesa e financave ta dëmtojë proceduralisht procesin”, shton tutje ai.

Sipas Hoxhës, është e kuptueshme që shpenzimet financiare rriten pasi kemi të bëjmë me një proces të zvarritur me vite.

“Po shohim që procesi po ecën ngadalë dhe zgjat shumë, ndaj është e kuptueshme që edhe shpenzimet financiare të rriten”, tha Hoxha.

Tutje, sipas Hoxhës, do të ishte e pakuptimtë nëse këto pengesa nuk tejkalohen, pasi Kosova ka bërë luftë të drejtë.

“Kosova ka bërë luftë të drejtë dhe çlirimtare dhe gjithashtu me miratimin e gjykatës speciale ka dëshmuar vullnetin e saj për drejtësi, prandaj do të ishte e pakuptimtë nëse nuk tejkalohen pengesat e përkohshme të natyrës procedurale dhe financiare”, tha Hoxha për GazetaBlic.

Gashi: Ben Emmerson do të jetë i pazëvendësueshëm, Kosovës i kushtoi mbi 4 milionë euro

Kërkesa e ekipit mbrojtës të Thaçit për mbështetje financiare/ Miftaraj: Kosova ka hyrë vetë në këtë obligim!

Zhvillimet në Hagë, Halimi: Kosova ta merrë shembull Kroacinë, duhet të bëhet më shumë për ish-krerët e UÇK-së