Skender Musa, i cili është avokat i akredituar pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, ka thënë se nuk ka pasur asnjë arsye që Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, t’iu vazhdohet masa e paraburgimit.
Ai u shpreh se nuk ka asnjë rrezik që Selimi e Krasniqi, në rast se mbrohen në liri të ndikojnë në dëshmitarë apo në drejtësinë e Gjykatës Speciale.
“Konsideroj që ekziston bazë ligjore që këta të akuzuar të mbrohen në liri, dhe nuk paraqet rrezik që nëse mbrohen në liri ta pengojnë procesin gjyqësor, të ndikojnë në dëshmitarë apo t’i shmangen në një formë drejtësisë. E vetmja arsye që gjykata ta vazhdoj masën e paraburgimit është çështja e peshës së veprës penale, por kjo nuk duhet të jetë determinuese për vazhdimin e paraburgimit, për shkak se Krasniqi dhe Selimi, janë figura publikë janë të gatshëm t’i zbatojnë vendimet e gjykatës, dhe t’u përmbahen me përpikmëri atyre vendimeve të mos e pengojnë punën e drejtësisë, nuk ka pasur aryse t’u vazhdohet masa e paraburgimit”, ka thënë ai.
Tutje avokati Musa ka përmendur raste kur ish-pjesëtarë të policisë serbe të cilët kanë kryer krime lufte, janë lejuar të mbrohen në liri nga Gjykata e Hagës, kurse sipas tij është e paqartë pse nuk po u lejohet edhe Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Ai e ka kritikuar Gjykatën Speciale, se ish-krerët e UÇK-së, po i sheh si fajtorë ende pa përfunduar gjykimi.


