Gazeta Blic, gjatë ditës raportoi mbi mënyrën se si po synohet të bëhet Ligji për Konfiskimin e Pasurisë nga ana e Qeverisë së Kosovës – ligj i cili tashmë është dërguar në Kuvend.
‘Prezumimi i pafajësisë’, apo që askush nuk është i fajshëm derisa të vërtetohet fajësia, si një e drejtë juridike e të akuzuarit, nuk do vlejë me Ligjin për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, në versionin e miratuar nga Qeveria dhe që tashmë është dërguar në Kuvendin e Kosovës.
Përveç kësaj, ‘barra e provës’ do të bie mbi palën dhe jo mbi institucionin që akuzon- Byron.
Të dy këto çështje, qartësohen prerazi në pak rreshta të nenit 31 të këtij projektligji, të cilin e ka siguruara Gazeta Blic.
“Çdo pasuri e personit në procedurë supozohet se është fituar në mënyrë të pajustifikueshme derisa personi të vërtetojë të kundërtën”, është përmbajtja e fjalisë së dytë të këtij neni, e cila bënë që prezumimi i pafajësisë të mos vlejë.
E lidhur me këtë, avokati i njohur, Skender Musa, dha mendimin e tij në një intervistë për Gazeta Blic.
Musa e sheh si të rrezikshëm këtë mënyrë që Qeveria Kurti, është duke e inicuar ligjin për konfiskim të pasurisë.
Ai thotë se me këto detaje, është duke u tentuar që të merren kompetencat e sistemeve gjyqësore dhe prokuroriale në vend.
Sipas Musës, nëse kalon në këtë mënyrë ky ligj, kushdo që të jetë në qeveri, do të mund ta përdorë për hakmarrje politike ndaj oponentëve kundërshtarë të politikës në vend.
Musa tregon edhe mënyrën se si duhet të hartohet Ligji për Konfiskim të Pasurisë dhe faktit që shumica e juristëve janë kundër mënyrën si po tentohet të bëhet tani.
“Në Kosovë duhet të aplikohet sistemi kontinental i drejtësisë dhe konform kësaj me të drejtën pozirtive në vendin tonë fitimi i pasurisë duhet të konfiskohet në prpcedurë paraprake dhe me rastin e ngritjes se aktakuzës prokurori i çështjes duhet të konfiskoj pasurinë. Secili konfiskim i pasurisë duhet të bëhet të shpërdorimit të detyrës zyrtare, marrjes së mitos, përmes krimit të organizuar, shitjes së substancës narkotike, kontrabandimit me njerëz dhe armë dhe gjësende tjera të paligjshme dhe çdo devijim që pasuria e fituar në mënyrë të kundërligjshme ti nënshtrohet procedurave civile, është në kundërshtim të plotë me kodin penal të Republikës së Kosovës”.
“Nxjerrja e ligjit si me procedurë civile, të vërtetohet a është fituar pasuria në mënyrë të ligjshme apo të paligjshme, në njëfarë forme tregon pafuqinë e institucioneve shtetërore, që ta luftojnë krimin e organizuar përmes procedurave të rregullta ligjore. Gjithashtu, nxjerrja e ligjit me efekt retroaktiv, në vetvete ngërthen shkelje të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, sepse sipas mendimit tim, ligjet civile nuk mund të kenë efekt retroaktiv (prapaveprues) dhe në literaturën juridike njihen vetëm ligjet që kanë të bëjnë me krimet kundër njerëzimit, krimeve të luftës etj, që nxirren pas kryerjes së veprave penale dhe kanë karakter retroaktiv”, shtoi Musa.
Përveç këtyre, paraqet një mundësi shumë të madhe që të keqpërdoret nga ana e pushtetit ekzekutiv me qëllim të ndjekjes, presionit apo shantazhit ndaj oponentëve politikë. Kjo paraqet precedent të rrezikshëm, për shkak që secila parti që vjen në pushtet përmes një dege ekzekutive, që i raporton qeverisë ti hetojë kundërshtarët politikë lidhur me pasurinë e tyre, pa pasur nevojë të marrë kurrfarë vendimi nga ana e gjykatës. Përvec kësaj, kjo byro si pjesë e qeverisë, në mënyrë të drejtëpërdrejt me këtë ligj, mund të marrë kompetencat e prokurorisë së shtetit, e cila është kompetente të hetojë edhe për pasurinë e fituar në mënyrë të dyshimtë dhe të gjitha shkeljet ligjore që mund të bëhen në Kosovë. Padyshim që kjo paraqet ndërhyrje të qeverisë në pavarësinë e sistemit prokurorial dhe gjyqësor të Kosovës dhe pikërisht kjo është arsyerja q ë shumica e juristëve në Kosovë, e shohin si paperspektivë nxjerrjen e këtij ligji dhe formimin e kësaj byroje, për shkak që konsiderojmë se me këtë ndërhyhet në pavarësinë e organeve të drejtësisë, e cila garantohet me Kushtetutën e Kosovës dhe Konventat Ndërkombëtare”, ka përfunduar ai.
FOTO/ Skender Musa, avokat