Lajme

Avokati i Thaçit i kërkon reagim Këshillit të Evropës

12/17/2024 17:43
nga:Sh R

Luka Misetic, avokat i ish presidentit Hashim Thaçi, ka reaguar pas raportimeve se presidentja dhe kryeprokurori i Dhomave të Specializuara të Kosovës janë takuar fshehurazi me diplomatë të vendeve donatore për t’u raportuar atyre.

Ai ka thënë se sipas Ligjit Specialja nuk raporton te shtetet tjera “e aq më pak në mënyrë të fshehtë”.

Avokati ka shtuar se “fatkeqësisht” Ligji nuk kërkon që Specialja të raportojë te ndonjë institucion në Kosovë, gjë që sipas tij përbën shkelje të normave të Këshillit të Evropës.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës (“KSC”) @SpecialChambers janë një institucion i Republikës së Kosovës që nuk i jep llogari publikisht ndaj askujt apo ndaj ndonjë institucioni për punën e tyre, gjë që mund të konsiderohet shkelje e normave të Këshillit të Evropës (shih më poshtë). Nacionale raportoi dje se presidentja dhe kryeprokurori i KSC-së janë takuar fshehurazi me diplomatë të vendeve donatore për t’u raportuar atyre, përfshirë diskutime rreth komenteve të @richardgrenell. Le ta përsëris: fshehurazi. Ligji për Dhomat e Specializuara, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, nuk e autorizon KSC-në që të raportojë tek shtetet tjera, e aq më pak ta bëjë këtë në mënyrë të fshehtë. Fatkeqësisht, Ligji nuk kërkon që KSC të raportojë te ndonjë institucion në Kosovë, gjë që përbën shkelje të normave të Këshillit të Evropës. Në Opinionin Nr. 18 të Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropianë, të publikuar në vitin 2015 nga Këshilli i Evropës, thuhet në paragrafin 24 se “gjyqësori duhet të jetë i përgjegjshëm për menaxhimin e tij ndaj pushteteve të tjera të shtetit dhe shoqërisë në përgjithësi”. Në Raportin 2014-15 të Rrjetit Evropian të Këshillave për Gjyqësorin thuhet në faqen 11: “Një gjyqësor që pretendon pavarësi, por refuzon të jetë i përgjegjshëm ndaj shoqërisë, nuk do të gëzojë besimin e shoqërisë dhe nuk do të arrijë pavarësinë për të cilën synon”.”

Tutje avokati shtuar Specialja po i shkel normal e Këshillit të Evoprës për mungesë të llogaridhënies ndaj institucioneve apo shoqërisë së Kosovës. Sipas tij kjo mungesë e llogaridhënies kërkon veprim nga Specialja, institucionet e Kosovës dhe nga Këshilli i Evropës.

“Megjithatë, KSC-ja nuk është e përgjegjshme ndaj “pushteteve të shtetit” të Kosovës dhe as nuk jep llogari për punën e saj për shoqërinë e Kosovës. Përkundrazi, ajo raporton në takime të fshehta me vendet donatore, të cilat nuk janë transparente, nuk janë të hapura për publikun e Kosovës dhe mbahen pa autorizim nga ligji i Kosovës. Është ironike që KSC-ja, një institucion i themeluar si rezultat i një raporti të Këshillit të Evropës (Raporti Marty), shkel normat e Këshillit të Evropës për mungesën e llogaridhënies ndaj institucioneve të Kosovës apo shoqërisë së Kosovës. Kjo mungesë e llogaridhënies kërkon veprim nga KSC-ja, nga institucionet e Kosovës dhe nga Këshilli i Evropës.”