Lajme

Avokati i Popullit: Shpronësimet në veri duhet të jenë më të qarta

06/21/2024 19:00
nga:Sh R

Avokati i Popullit e ka publikuar një opinion në lidhje shpronësimit në komunat Leposaviq dhe Zubin Potok, ku theksohet se vendimet e Qeverisë së Kosovës të marra para dhe gjatë procesit të shpronësimit nuk e kanë pasur qartësinë e duhur sa i përket qëllimit legjitim për të cilën është bërë shpronësimi.

Siç thuhet në një njoftim për media, ky opinion ka ardhur si rezultat i ankesave të banorëve të komunave të Leposaviqit dhe Zubin Potokut, të cilët janë ankuar për mënyrën se si është zhvilluar ky proces i shpronësimit.

“Avokati i Popullit duke pasur parasysh faktin se për këtë çështje është iniciuar procedurë gjyqësore, nuk është lëshuar në vlerësim meritor, por i paraqet vetëm pikëpamjet e tij në vështrim të mbrojtjes së të drejtës së pronës, si e drejtë e njeriut e garantuar me Kushtetutën e Republikën e Kosovës. Me këtë rast, Avokati i Popullit ka vërejtur se vendimet e nxjerra para dhe gjatë procesit të shpronësimit nuk e kanë pasur qartësinë e duhur sa i përket qëllimit legjitim për të cilin është bërë shpronësimi dhe kjo ka bërë që mos të përmbushet në mënyrë të plotë kushti ligjor për bërjen të ditur të qëllimit të ligjshëm publik.

Avokati i Popullit ka vënë në dukje obligimin pozitiv të institucioneve të Republikës së Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve në drejtim të qartësimit të qëllimit legjitim dhe interesit publik, në mënyrë që ndërhyrja në pronat e pronarëve, për qëllimet e shpronësimit të jenë të qarta, të dukshme dhe të lejueshme”, thuhet në njoftim.
Qeveria në vendimet e saj, i është referuar “ndërtimit të objekteve infrastrukturore me interes publik”, teksa që nga fillimi i procesit të shpronësimit në janar, qytetarët kanë protestuar, ndërsa disa prej tyre u janë drejtuar gjykatave të Kosovës.