Lajme

Avokati i OVL-UÇK’së: Vendimi i Apelit për t’i zbuluar përgjegjësit që i nxorrën dokumentet në publik, i duhur, por i vonshëm!

11/10/2021 13:40
nga:M K

Sot u mësua se, Gjykata e Apelit në Hagë ka urdhëruar Prokurorinë të gjejë personat përgjegjës që i nxorrën dokumentet e Speciales në publik, dokumente këto për të cilat momentalisht janë duke qëndruar në paraburgim, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Këtë e konfirmoi edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK’së, Faton Klinaku, përcjell GazetaBlic.

Klinaku, në një prononcim për GazetaBlic, tha se e rëndësishme është që ata le t’i gjejnë personat përgjegjës, teksa ka thënë se duhet pritur për të parë sesi duhet të rrjedhin gjërat.

“Pra, ashtu siç e thashë edhe në rrjetin social ‘Facebook’. Le ta gjejnë ata fajtorin. Kush i ka nxjerr ato dokumente jashtë? Ata le të merren me atë çështje”, tha Klinaku për GazetaBlic.

Gjykata e Apelit në Hagë urdhëron Prokurorinë të gjejë emrat përgjegjës që i nxorrën në publik dokumentet zyrtare

Ndërkaq, lidhur me këtë, GazetaBlic ka kontaktuar edhe me avokatin mbrojtës të OVL-së, Tomë Gashin.

Gashi u shpreh se ky vendim është i mirë, por i vonshëm. Sipas tij, Nasim Haradinaj e Hysni Gucati po mbahen pa të drejtë në burg për më shumë se një vit, andaj kjo është edhe arsyeja pse unë kam kërkuar që Specialja të merret më shumë me veten.

“Sigurisht që do t’i ndihmojë, por është me vonesë, për shkak se ata padrejtësisht janë t’u u mbajtë në burg më tepër se një vit, edhe më herët unë si avokat i OVL-së, i selisë qëndrore, edhe unë kam kërkuar që Prokuroria, respektivisht Gjykata Speciale të merret me vetveten, sepse Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati nuk i kanë prdhu këto dokumente, ndërsa ata që i kanë marrë në emër të Prokurorisë Speciale në Hagë, dhe që i kanë marrë me vërtetim, kanë konstatu se dokumentet janë të tyre. Kështu që pa hetu ata vetveten, ka qenë një padrejtësi e qëllimshme ndaj Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit”, tha fillimisht ai.

Gashi tutje tha se kjo çështje duhet të sqarohet njëherë e mirë, pasi dalja në publik e këtyre dokumenteve ka vërtetuar diçka tjetër, prodhimin e lajmeve të rrejshme nga Beograd.

“Unë mendoj që ata qëllimisht nuk e kanë bë publike asnjëherë se janë duke e hetuar vetveten, sepse do të ishte një skandal me efekt “boomerang” për ta, por unë mendoj se kjo do të duhej të sqarohej, sepse në tri raste, dikush i paidentifikuar, i ka sjellë dokumentetet në selinë qëndrore të OVL-së në qendër të Prishtinës dhe me ato është vërtetu diçka që është ditur më herët; bashkëpunimi i organeve të ndjekjes të Serbisë, duke përfshirë edhe Prokurorinë për Krime të Luftës në Beograd, e cila vazhdimisht, për më tepër se 22 vite, prodhon dokumente të falsifikuara, të rrejshme kundër pjesëtarëve të UÇK-së, posaçërisht krerët e saj”, vazhdoi ai për GazetaBlic.

Kurse, në fund fare, avokati mbrojtës i OVL-së deklaroi se kjo ka ndikuar në gjykimin e përgjithshëm, pasi janë përshpejtuar edhe ndjekjet penale, e besa edhe arrestimet, jo vetëm të Haradinajt e Gucatit, por edhe të tjerëve që janë në Hagë.

“Mendoj që kjo ka qenë primare për t’u siguruar sesi kanë ardhur ato dokumente, sepse për shkak të atyre dokumenteve që dikush i ka nxjerr nga Gjykata Speciale apo Prokuroria Speciale në Hagë, janë përshpejtuar edhe ndjekjet penale, edhe arrestimet janë përshpejtuar, jo vetëm të Haradinajt e Gucatit, por edhe të tjerëve që janë në gjykatë”, përfundoi Gashi.

/GazetaBlic/

d