Lajme

Avokati i akredituar i Speciales: Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi në fund do të lirohen të pafajshëm, s’ka prova e as bazë për rast penal

05/01/2022 14:03
nga:G B

Ani pse kanë kaluar dy vjet që kur ish-eprorët e UÇK-së janë duke u mbajtur në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, Prokuroria po e zvarritë procesin e dorëzimit të provave për të akuzuarit.

E gjithë kjo, sipas avokatëve të akredituar të Speciales po ndodh për shkak të mungesës së këtyre provave që dëshmojnë fajësinë e tyre.

Avokati Skender Musa thotë se Specialja ka shkresa që kanë pranuar nga Serbia, por që nuk përputhen me realitetin.

Por, kjo vonesë nga ana e Prokurorisë, sipas avokatit Musai dëmton të akuzuarit.

“Vet fakti që nuk dorëzohen provat më herët, e pengon procesin gjyqësorë, e pengon përgatitjen e mbrojtjes, nuk mundem me thënë që ka ndonjë qëllim të caktuar nga ana e Prokurorisë edhe e Gjykatës Speciale, mirëpo e dëmton jashtëzakonisht mundësinë e mbrojtjes për t’u përgatitur, edhe i dëmton të akuzuarit, dhe si pasojë e kësaj Gjykata e vazhdon paraburgimin duke pretenduar se ekziston mundësia për të ndikuar në prova edhe në dëshmitarë”, thotë ai për Front Online.

Musa thotë se kjo Gjykatë do të dështojë, ku edhe do të përfundojë me lirimin e të akuzuarve.

“Unë mendoj se kjo Gjykatë do të dështoj. Nëse ka drejtësi edhe nëse vendoset në bazë të provave ligjeve, mendoj se epilogu ka me qenë lirimi i të akuzuarve të pafajshëm, po flas për Jakup Krasniqin, dhe Rexhep Selimin që i kam përcjell më shumë. Mendoj që ka me qenë vendimi përfundimtar lirues, për shkak që këto prova që deri tash kanë pretenduar që ekzistojnë edhe që janë shpalos publikisht, realisht nuk ka bazë as me inicu si rast penal e lëre me arrestu e me ngrit aktakuzë për dikë”, thotë ai.