Lajme

Avokati e përfundon deklaratën me fjalët e Byrnes: “E ndjeja njerzillëkun e Krasniqit, e donte paqen”

02/16/2026 12:13
nga:G B

Mbrojtja e Jakup Krasniqit po vazhdon me paraqitjen e fjalëve përmbyllëse në gjyqin e madh ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Avokati Aiden Ellis u shpreh se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka prova që Krasniqi ka ushtruar autoritetin e tij, siç pretendohet, për të kryer arrestime apo ndalime.

“[Prokuroria] pretendon në mënyrë të pabazuar sipas nesh, që Jakup Krasniqi ka ushtruar autoritetin e vet për arrestimin dhe ndalimin e Blerim Kuqit. Prokuroria e di që këto pretendime, këto akuza nuk i ka provuar, kështu që është munduar të largohet nga to me argumentet me gojë”, tha Ellis.

“Prokuroria as nuk ka prova që Kuqi është arrestuar në praninë e Krasniqit, dhe sipas parashtrimeve tona, për barrën e provës në këtë çështje ia vlen të shkruhet një libër të tërë. Prokuroria nuk ka thirrur asnjë person që ka qenë prezent në momentin e arrestimit”, tha Ellis.

Ai shtoi se para mbrojtjes, sipas tij, kanë lindur dyshime mbi dëshmitë e ZPS-së.

Para trupit gjykues, Ellis po ashtu tha se forcat serbe kanë shkatërruar disa zona të Kosovës, teksa shtoi se Kuqi mund të jetë arrestuar për shkak të dezertimit.

Fjalën e tij ai e përfundoi me fjalët e një dëshmitari ndërkombëtar, Shaun Byrnes.

“Unë e ndjeja njerzillëkun dhe seriozitetin e tij, ai ishte në thelb një burrë që e donte paqen”, u shpreh Ellis.