Lajme

Avokati amerikan i Thaçit i ashpër me ZPS: Të rrëzosh dëshmitë e diplomatëve, e pabesueshme – dëshpëruese!

02/11/2026 16:03
nga:G B

Pas Tavakolit, fjalën e mori mbrojtësi tjetër i Thaçit, Pierre-Richard Prosper. Ai kritikoi ZPS-në për mënyrën se si i ka trajtuar dëshmitë e shtatë dëshmitarëve ndërkombëtarë të mbrojtjes.

Prokuroria, tha ai, pretendoi se shtatë dëshmitarët nuk kishin njohuri të thella për UÇK-në, nuk kishin lexuar rregulloret e as komunikatat e saj dhe nuk ia njihnin strukturën.

“Këto komente tregojnë arrogancë, mungesë respekti që ka qenë e pranishme qysh në fillim të këtij procesi”, tha Prosper.

“Duhet të kujtojmë rëndësinë e dëshmitarëve. Duhet të respektoni rolin që kanë pasur, shtetet që përfaqësojnë”, shtoi Prosper, duke theksuar se ata nuk dolën para gjykatores si persona privatë, por në kohën e luftës kishin pasur role të rëndësishme dhe përfaqësonin SHBA-në, NATO-n e OKB-në.

Në mesin e dëshmitarëve të mbrojtjes së Thaçit që u paraqitën në Hagë ishin kryesisht zyrtarë të lartë perëndimorë. Aty u përfshin ish-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, gjenerali amerikan në pension, Welsley Clark, dhe diplomati amerikan në pension, Christopher Hill.