Sot është mbajtur konferenca e gjashtë statusore në rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve.
Avokatët mbrojtës të ish-krerëve të UÇK-së dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk kanë rënë dakord që këta të fundit, të dorëzojnë listën e dëshmitarëve që priten të përdoren në gjykim.
Luka Mishetiq, avokati kroat i Thaçit, ka thënë se një listë e tillë u nevojitet që të bëhen gati për gjykimin.
“Ne kemi nevojë që të vendosim përparësi në përgatitjet tona, dhe këtë e bëjmë duke e ditur se cilët dëshmitarë do të dëshmojnë në sallë. Prandaj, kërkojmë që Prokuroria ta bëjë një listë”, tha avokati Mishetiq.
Ndërkohë me këtë kërkesë, janë pajtuar edhe përfaqësuesit e Rexhep Selimit, Kadri Veselit e Jakup Krasniqit.
Megjithatë, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë thënë se kjo kërkesë është “jashtë kontekstit”.


