Lajme

Avni Dehari: Besojmë në çdo përfundim të nxjerrë nga Instituti Zviceran, por provat ishin të dëmtuara

04/14/2022 17:47
nga:Astrit Gashi

Babai i Astrit Deharit, Avniu u shpreh se besojnë në çdo përfundim të nxjerrë nga Instituti Zviceran.

Në konferencën e përbashkët më Avokaton Tomë Gashi, para Prokurorisë Speciale në Prishtinë, Dehari tha se kjo ekspertizë shtesë për vdekjen e djalit të tij tregon se të gjitha provat e dërguara në Institut janë të papërdorshme dhe të dëmtuara.

“Në çdo përfundim që kanë sjellë ata besojmë plotësisht meqë i kanë bërë në mënyrë shkencore. Edhe tash pas analizës dhe përfundimit që kanë ardhur në raportin e parë se është prania e personit të tretë që ka marrë pjesë në vrasjen e Astritit. Kanë ardhur të kërkojnë fakte e argumente plotësuese që ta zbardhin si duhet. Të gjitha provat e fotografitë që i kanë dërguar, kanë qenë të dëmtuara. Tani në këtë ekspertizë që kanë dërguar, konkludojnë se asnjë provë nuk ka mbetur pa u dëmtuar, pra të gjitha janë të papërdorshme. Kanë dërguar edhe një tojë, një laps dhe një brisk të rrojës, të cilat këta i kanë parë që janë gjëra personale të Astritit në të cilat nuk ka diçka të tretë dhe natyrisht se ata kanë thënë se nuk ka diçka nga një person i tretë dhe tash Prokuroria Speciale e Prishtinës, në të cilën kemi besuar që do ta kryejë punën me ndërgjegje, është nxitur që të del, e ka shfrytëzuar vetëm këtë konkludim dhe jo konkludimet tjera, se ka edhe 4-5 konkludime, dhe ka shfrytëzuar këtë konkludim që të krijojë mjegull në opinion, se gjoja ekspertët kanë thënë se nuk ka këtu person të tretë që ka marrë pjesë në vdekjen e Astritit, me këtë të vërtetohet përpjekja e tyre që Astritit ka bërë vetëvrasje”, u shpreh Dehari.

Nëna e të ndjerit, Xhevahire Dehari kërkoi të merr dikush përgjegjësi për mos zbardhjen e vdekjes së djalit të saj.

Ajo tha se prokurori aktual nuk është duke bërë as më pak e as më shumë punë se sa prokurori Sylë Hoxha.

“Prokurori i rastit që tani është duke e kryer punën sikurse Sylë Hoxha, asnjë punë më tepër apo më pak, nuk është duke e bërë që tri vjet, e kanë marrë rastin, asnjëherë kurrgjë nuk na kanë thënë. Para katër muajve kemi shkuar vetë, i kemi pyetur, por nuk na kanë dhënë përgjigje, përveç asaj se jemi duke e pritur prej Zvicrës raportin shtesë dhe nëse doni t’ua dorëzojmë lëndën. Por nuk dorëzohet lënda kur është mbajtur tri vjet. Dikush duhet me dhënë përgjegjësi për këto që po bëjnë”, tha ajo.

Gjatë ditës së sotme Prokuroria Speciale e Kosovës i ka reaguar Ministrisë së Drejtësisë meqë kjo e fundit e akuzoi për manipulim me konkluzionet e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Zvicrës për vdekjen e ish-aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari.

Prokuroria Speciale ka publikuar edhe pesë konkluzionet e ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore të Zvicrës për rastin e Deharit.

Ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, që u gjet i vdekur më 5 nëntor 2016 në burgun e Prizrenit nën dyshimin se kishte kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, bashkë me disa aktivistë të tjerë.