Lajme

Avni Arifi: Raportet me SHBA-të shqetësuese, Kurti asnjë përpjekje për përmirësim të tyre

03/20/2024 13:32
nga:G B

Avni Arifi, ish kryenegociator i dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, vlerëson se Kosovës nuk i shërben acarimi i raporteve me SHBA-të dhe është jetik ruajtja e partneritet me to.

Ai i sheh shqetësuese deklaratat e Escobar dhe mungesën e përpjekjeve nga ana e qeverisë apo kryeministrit, për të vendosur komunikim të rregullt me Amerikën.

“Unë nuk besoj që Kosovës i shërbehet duke acaruar raportet me SHBA-të. Besoj se është e interesit jetik të Kosovës që raportet e partneriteti me SHBA-të të mos cenohet. Ajo çfarë kemi dëgjuar nga Escobar dhe çka do të dëgjojmë në ditët dhe javët në vijim si duket, është me të vërtetë shqetësuese sepse progresi që e kemi arritur ne e kemi arritur sepse kemi pasur partneritet të fuqishëm me SHBA-të. Është shqetësuese dhe nuk po shoh asnjë indikacion tek Qeveria apo te kryeministri që kanë përpjekje serioze për të rivendosur një komunikim të rregullt apo normal me SHBA-të”, shprehet Arifi për Gazeta Blic.

Sipas tij, është e papranueshme që në vit jubilar për themelimin e NATO-s dhe ndërhyrjen e saj në Kosovë, të kemi raporte të tilla me SHBA-të, duke shtuar se Kosova kurrë s’ka qenë më larg anëtarësimit në NATO.

“Është e pabesueshme sot në këtë muaj festohet 25 vjetori i intervenimit të NATO-s në Kosovë dhe SHBA-ve, është vit jubilar, siç është dhe 75 vjetori i krijimit të NATO-s dhe në këtë vit jubilar Kosova të ketë raporte shumë të këqija me SHBA-të dhe të mos jetë askund procesi i integrimit të Kosovës në NATO, para dy vitesh ka qenë e pritshme që Kosova të gjendej në një fazë të anëtarësimit në NATO, kurse sot duke që ky proces me këtë qasje që ka Qeveria e Kosovës kurrë nuk ka qenë më larg”, vlerëson ish kryenegociatori për Gazeta Blic.

Po ashtu, Arifi ka folur dhe për mundësinë që Asociacioni të jetë kusht për anëtarësim në KiE.

“Në parim nuk do të duhej. Në atë çka tha Escobar nuk përjashtohet mundësia që të krijohen kushte shtesë. Në bazë të asaj që ne kemi menduar dhe e kemi parë këtë proces që ka ndodhur dhe më herët, është proces i BE-së dhe ata mund të vënë dhe obligime, nuk ka paralajmërime, të vetmin paralajmërim që nuk është aspak joserioz e kemi nga z.Escoar që mund të ketë edhe dy kritere tjera, pra ajo e Asociacionit dhe e shpronësimeve në veri”, deklaron Avni Arifi./Gazeta Blic/

“VV do ta përdorë Asociacionin për fushatë – Kosova në pikën më të ulët në dialog”