Një avion Beechcraft 55 është përplasur mbi një veturë Toyota Camry në autostradën I-95 në Brevard County, Florida, të hënën mbrëma.
Të gjithë mbijetuan dhe nuk pati lëndime serioze, sipas mediumit lokal WESH-TV.
Në video shihet avion që bie mbi veturën e cila po lëvizte në shiritin e mesit. Avioni e godet nga mbrapa veturën, dhe vazhdon të rrëshqasë, duke nxjerrë shkëndija derisa ndalet.
Gruaja 57-vjeçare që po voziste Toyotan u dërgua në spital me lëndime të lehta, raportojnë mediat.
Dy pasagjerët e avionit — të dy 27 vjeç — dolën prej tij pa asnjë lëndim.
Sipas raportimit, piloti kishte njoftuar më herët për probleme me motorin para tentimit për ulje emergjente. Avioni thuhet se humbi fuqinë në të dy motorët pasi ishte ngritur për një fluturim mësimor nga Merritt Island aty pranë.



