Avionë të Forcave Ajrore të Jordanisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe kanë kryer sot një mision të përbashkët për të hedhur ndihma humanitare mbi Rripin e Gazës, në një kohë kur situata humanitare atje mbetet alarmante.
Sipas televizionit shtetëror jordanez, në operacion u përfshinë dy avionë ushtarakë jordanezë të tipit C-130 dhe një avion i Emirateve, të cilët hodhën nga ajri rreth 25 ton ndihma ushqimore dhe furnizime esenciale në disa lokacione brenda Gazës.
Me këtë mision, numri i përgjithshëm i hedhjeve ajrore të kryera nga Jordania që nga nisja e konfliktit arrin në 127 operacione.
Ndërkohë, autoritetet izraelite kanë njoftuar një sërë masash të reja për të lehtësuar dërgimin e ndihmave në Gaza, por nuk dihet ende se kur konkretisht do të hyjnë kamionët me ndihma në territorin palestinez.
Dhjetëra kamionë të zbrazët janë parë duke lëvizur në kolona drejt tre pikave kufitare: Zikim në veri të Gazës, Kissufim në qendër dhe Kerem Shalom në juglindje.
Nga ana tjetër, tregjet lokale në Gaza kanë njohur rritje të menjëhershme të aktivitetit, ndërsa tregtarët janë parë duke shitur mallrat ushqimore të cilat i kishin ruajtur për ditë më të vështira./BBC


