Kestrim Avdimetaj, profesor universitar, ka shpjeguar hulumtimin e realizuar për EURO n’T7 për inflacionin, apo rritjen e vazhdueshme të çmimeve në pesë vitet e fundit.
Sipas këtij hulumtimi, të bazuar në të dhëna zyrtare, del se gjatë gjithë vitit 2025 çmimet e produkteve bazë janë rritur në vazhdimësi, nga 1.5% në janar në 5.3% në fund të vitit dhe kjo ka varfëruar në vazhdimësi qytetarët e vendit.
Avdimetaj, i cili ka punuar hulumtimin, ka thënë se norma e lartë e inflacionit është mjaft shqetësuese, edhe pse në aspektin ekonomik mund të jetë inflacion i moderuar apo brenda niveleve shkencore.
“Efekti i këtij inflacioni tek familjet ka qenë shumë më i madh sepse e ka prekur shportën e konsumit, kjo duke u bazuar në faktin se një pjesë e popullsisë varen nga një e hyrë, apo një pagë që është paga mesatare në vend, pastaj pensionistët, ku pjesa më e madhe e pensionit u shkon për konsum. Këtë situatë e ka rënduar edhe më shumë rritja e çmimit të energjisë elektrike”, ka thënë Avdimetaj.
Profesori Avdimetaj ka shpjeguar edhe faktorët që në vazhdimësi kanë ndikuar në rritjen e inflacionit apo çmimeve të produkteve bazike.
Këtu, sipas tij, kanë ndikuar për të keq edhe dhënia e ndihmave qeveritare, tri herë brenda vitit, në kohë zgjedhjesh.
“Rritja e shtesave patjetër që e rrit kërkesën për blerje dhe rrit konsumin, pra e stimulon atë në afat të shkurtër rritjen e kërkesës dhe me këtë edhe rritjen e inflacionit. Pjesa më e madhe e këtyre mjeteve të ndara ka shkuar për konsum dhe nuk ka rritur aktivitetin ekonomik, pra ky aktivitet e ka ushqyer inflacionin, sikur ka bërë edhe rritja e çmimit të energjisë elektrike”, ka shtuar Avdimetaj.
Sipas tij, që norma e inflacionit të bie, qeveria e vendit duhet të rrisë investimet kapitale në mënyrë që të kontribuojë në rritjen ekonomike, përndryshe ndarja e vazhdueshme e ndihmave mund të sjellë vetëm rritje të çmimeve.


