Nuk ka asnjë arsye për luftë në Ballkanin Perëndimor dhe diçka e tillë nuk do të gjente mbështetjen e popullatës, tha në një intervistë dhënë mediave malazeze analisti nga Zagrebi, Denis Avdagiq, përcjellë Gazeta Blic.
Nuk është e pazakontë që media të shumta vendase dhe rajonale të shprehin frikën për përhapjen e konfliktit nga Ukraina në territorin e Ballkanit Perëndimor, por Avdagiq theksoi se nuk i frikësohen një skenari të tillë.
“Tani, në këtë moment, për të nisur diçka në Ballkanin Perëndimor, ai që do ta provonte sigurisht që nuk do të gjente mbështetje në popullatë. Perëndimi nuk do ta lejojë këtë, forcat evropiane janë në Bosnje dhe Hercegovinë, amerikanët janë në Kosovë. Ata që duan një luftë këtu, vetëm mund ta fillojnë atë, nuk do të mbërrijnë e as të ikin”, tha Avdagiq.
Ai shtoi se edhe Mali i Zi mbrohet nga NATO, duke nënvizuar se çfarëdo sulmi kundër Malit të Zi do të ishte sulm kundër tërë Aleancës.
“Nuk janë fshehtësi ndikimet nga Serbia, e madje edhe ato nga Rusia. Natyrisht, ekzistojnë edhe lidhja dhe marrëdhëniet specifike me Serbinë, por të gjithë duhet ta kenë parasysh se Mali i Zi ka zgjedhur pavarësinë dhe rrugën drejtë Perëndimit”, tha Avdagiq.


