Uji shpërtheu brenda e për pak minuta përfshiu edhe krejt oborrin. Kjo, minierës së Artanës i shkaktoi goxha dëme materiale.
Por, rrezik pati edhe në njerëz. Tre punonjës që ishin në horizontin e gjashtë rreth orës 13:00, i shpëtoi koha e pushimit kur dolën nga këtu vetëm pak minuta para se të ndodhte avaria, raporton Klan Kosova.
Mbikëqyrësi i minierës, Liridon Mehmeti, rrëfeu se si ndodhi gjithçka.
“Këtu është bo një hapje afër 650 metra, mas saj ka pas grumbullim të ujit pasi kanë dalë punëtorët jashtë gjysmë ore që kanë qenë tu pushu ka nisë me dalë uji, ka shpërthy”, tha Mehmeti.
Ndërkohë, drejtori i minierës, Hasim Berisha, thotë se objektet, por edhe pajisjet nuk dolën jashtë funksioni krejtësisht.
“Jo nuk ka dëme as një sektor, gjithë sektorët jemi angazhu sektori elektromakinerisë, i mensës, i kemi verifiku të gjitha pajisjet që na shërbejnë për punë, gjithçka është në rregull”, tha ai.
E derisa Berisha nuk ka lajmëruar as organet kompetente për hetimin e shkakut, një ish-drejtor i Minierës së Trepçës, thotë se faji është pikërisht te menaxhmenti.
“Ngjarja ka ndodhur si rezultat i menaxhimit jo adekuat, jo profesional, jo shkencor, jo teknik te minierë kjo tregon paaftësi menaxheriale paaftësi inxhinierike dhe paaftësi teknike”, tha ish-drejtori i minierës së Trepçës, Ferat Shala.
Uji ka dëmtuar edhe rrugën që çon tek miniera.
Pikërisht në këtë vend me 2 qershor të 2020 kishin humbur jetën dy minatorë si pasojë e shembjes së dheut.


