Lajme

“Avancimi i statusit, lajm i mirë”/ Berisha: Do të angazhohemi që të finalizohet anëtarësimi i Kosovës në NATO

05/27/2024 14:01
nga:G B

Asambleja Parlamentare e NATO-s e ka miratuar sot rekomandimin për avancim të statusit të Kosovës nga anëtare vëzhgues në anëtare të asociuar.

Avancimi i statusit, vjen pas disa viteve të bashkëpunimit në mes të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Këtë e quan lajm të mirë për vendin deputeti i AAK-së, Bekë Berisha.

Ai në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se avancimi i statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s i jep të drejta Kosovës.

“Padyshim që avancimi i Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s është lajm i mirë për vendin. Statusi i Kosovës si anëtare e asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s i jep të drejta Kosovës, ku tashmë ka të drejtë të paraqesë rezoluta të ndryshme, dihet që delegacioni ynë nuk ka të drejtë vote, por ky padyshim është avancim drejt aspiratave tona që Kosova sa më parë të bëhet anëtare me të drejta të plota në NATO”, shprehet ai.

Berisha thotë se do të angazhohen fuqishëm në këtë proces, të nisur në vitin 1999 dhe do të finalizohet me anëtarësim të Kosovës në NATO.

“Kjo rrugë e filluar qysh në vitin 1999 do të kulmojë me finalizimin e anëtarësimit tonë në NATO dhe për këtë proces do të angazhohemi fuqishëm edhe në vazhdim, ashtu siç kemi qenë të angazhuar që nga fillimi i këtij procesi”, deklaron deputeti i AAK-së, Bekë Berisha./Gazeta Blic/

 

Kosovës i avancohet statusi në Asamblenë Parlamentare të NATO-s

Maqedonci shpjegon se çfarë përfiton Kosova me avancimin në Asamblenë Parlamentare të NATO-s