Lajme

AUV zhvarros mbetjet e 16 lopëve që i asgjësoi në Rahovec

08/18/2021 14:46
nga:M K

Në fshatin Guri i Kuq të Rahovecit janë zhvarrosur mbetjet e 16 lopëve të asgjësuara gjatë ditës së sotme nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, pas kundërshtimit nga banorët përreth.

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi ka thënë se disa kafshë në disa fshatra të Komunës se Rahovecit kanë rezultuar pozitiv në sëmundjen e (TBC). Ndërsa, sipas tij, për lokacionin e varrimit është përgjegjëse Komuna

“Në rastin konkret disa kafshë në disa fshatra të Komunës se Rahovecit kanë rezultuar pozitiv në sëmundjen e TBC. Inspektorët veterinarë të AUV bashkë me kompaninë e kontraktuar për asgjësim dhe groposje të kafshëve janë duke kryer asgjësimin e tyre. Sot është e planifikuar të asgjësohen 16 krerë kafshë të llojit të gjedhit. Për përcaktimin e lokacionit apo vendit për asgjësim është përgjegjës komuna. Secila komunë e njehë hapësirën e vet territoriale duke përfshi edhe përbërjen e tokës, hapësirat për distanca nga vendbanimet, qe po ashtu si përgjegjëse për caktim të lokacionit e përcaktojnë edhe ligjet në fuqi. Përveç kësaj ka disa vite qe ne përmes shkresave zyrtare i kemi informuara komunat për përgjegjësit e tyre për caktim të lokacioneve për asgjësime të kafshëve ne rastet kur rezultojnë pozitiv në sëmundjet ngjitëse”, ka thënë ai.

Thaçi ka treguar se sot gjatë procesit të asgjësimit të disa krerëve në një lokacion, të caktuar nga zyrtar komunal dhe ata të Agjencisë së Pyjeve, disa fshatar rreth këtij vendi kanë kundërshtuar vendosjen e kafshëve aty.

“Pas diskutimeve edhe me krerët lokal, ne jemi detyruar që t’i zhvarrosim kafshët dhe ti dërgojmë në një vend tjetër, prapë me pëlqim dhe vendosje të organeve lokale. Asgjësimet gjithmonë kryhen nën mbikëqyrje të inspektorit Veterinarë, i cili gjatë gjithë procesit mbikëqyrë asgjësimin për t’u përmbushur të gjitha kushtet veterinare shëndetësore për parandalimin e përhapjen se sëmundjeve të kafshëve”, tha ai.

Thaçi tha sëmundjet e grupit të parë paraqesin rrezik edhe për shëndetin human, sipas tij janë sëmundje që mund të barten tek njeriu.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë si autoriteti me i lartë shtetërorë për shëndetin e kafshëve, bazuar në ligjin e Veterinarisë 2004/21 neni 8 dhe akteve nën ligjore. Zhvillon politika për luftimin e sëmundjeve infektive përmes hulumtimeve diagnostike testimeve laboratorike dhe vaksinimeve. Në të gjitha rastet ku analizat laboratorike rezultojnë pozitivë në sëmundjet e grupit të parë të përcaktuara me ligj. AUV menjëherë ka për detyrë të bëj asgjësimin e tyre. Me qellim të pengimit të përhapjes se sëmundjes në fermë dhe fermat përreth. Sëmundjet e grupit të parë paraqesin rrezik edhe për shëndetin human (janë sëmundje që mund të barten tek njeriu)”, tha ai për Demokracia.com