Ndonëse dy raste janë konfirmuar në Kosovë me murtajën afrikane të derrit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës e Kosovës ka bërë të ditur se ka ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e përhapjes së mëtejme të sëmundjes
Një sëmundje e re ka prekur vendin për herë të parë, bëhet fjalë për murtajën afrikane të derrit.
Murtaja afrikane e derrit është sëmundje ngjitëse virale, që shkakton ethe hemorragjike tek derrat e butë dhe të egër.
Rasti i parë në Kosovë u konfirmua më 17 korrik në një fermë derrash në komunën e Kllokotit – pjesa jugperëndimore e vendit.
Ndërsa të enjten e 27 korrikut, murtaja afrikane e derrit është përhapur edhe në Dragash.
Murtaja afrikane e derrit nuk bartet te njeriu
Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi në një përgjigje për Portalin Dukagjini ka thënë se kjo sëmundje nga vetë emërtimi i saj tregon se paraqitet vetëm tek derrat e butë dhe ata të egër ndërsa nuk shfaqet tek llojet e tjera të kafshëve.
Thaçi ka thënë se kjo sëmundje ka impakt ekonomik dhe është sëmundje e cila nuk përhapet nga kafshët tek njeriu.
“Sa i përket sëmundjes murtaja afrikane e derrave (MAD) është sëmundje virusale dhe vetë emërtimi i saj tregon se kjo sëmundje paraqitet vetëm tek derrat e butë dhe tek derrat e egër kurse llojet tjera të kafshëve nuk përfshihen në këtë infeksion. Kjo sëmundje ka impakt ekonomik dhe është sëmundje e cila nuk përhapet nga kafshët tek njeriu”, ka thënë Thaçi.
Ndonëse Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës (AUV) ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të mos u përhapur sëmundja në fjalë, Thaçi ka thënë se në fermën e infektuar janë ndërmarrë këto veprime, ku të gjitha kafshët e kësaj ferme janë asgjësuar, gjithsej 22 krerë derra, është bërë pastrimi dhe dezinfektimi i fermës dhe i është rekomanduar pronarit të kësaj ferme që pas gjashtë muajve të bëhet ripopulimi i saj.
Po ashtu, ai ka thënë se është vazhduar menjëherë me vëzhgimin e fermave të tjera përreth në të cilat janë marrë mostrat e gjakut dhe janë obliguar të gjitha ambulantët veterinare që të gjitha rastet e dyshimta të raportohen në AUV.
“Te gjitha kafshët e kësaj ferme janë asgjësuar 22 krerë derra, është bërë pastrimi dhe dezinfektimi i fermës dhe i është rekomanduar pronarit të kësaj ferme që pas 6 muajve mund të bëjnë ripopulimin e saj. Është vazhduar menjëherë me vëzhgimin e fermave tjera për rreth janë marrë mostrat e gjakut dhe duke u bazuar në rezultatet e analizave laboratorike nuk kemi pasur paraqitje të rasteve te reja. Nga ana e Drejtorit Ekzekutiv të AUV-së është marrë vendim për ndalimin e lëvizjes së derrave në të gjitha komunat e Kosovës dhe një kumtesë për media në formë të shkruar dhe elektronike, janë obliguar të gjitha ambulancat veterinare që të gjitha rastet e dyshimta të raportohen në AUV, janë obliguar fermerët e të gjitha fermave për ngritjen e nivelit të biosigurisë në fermat e tyre dhe që të gjitha rastet e dyshimta të raportojnë në AUV”, ka vijuar ai.
Për të parandaluar përhapjen e sëmundjes, AUV-i ka krijuar një shtab të krizës, thotë ai, ndërsa ka nisur edhe hulumtimin epidemiologjik të fermave të derrave që gjenden në perimetrin prej tri kilometrash larg fermës me derra të infektuar.
“Për praninë e kësaj sëmundje në Kosovë janë njoftuar shtetet fqinje dhe Komisioni Evropian përmes sistemit ADIS(Animal Diseases Information System). Nga Ministri i MBPZHR është marrë vendim për formimin e Shtabit të Krizës për sëmundjen MAD dhe zbatimin e masave parandaluese dhe për momentin jemi duke e monitoruar situatën e kësaj sëmundje në kafshë në fermat e derrave të ekonomive familjare dhe në fermat komerciale dhe situatën me praninë e saj tek derrat e egër (ku deri më tani nga mostrat e dërguara ne LUVK janë konfirmuar dy raste pozitive të MAD në Komunën e Gjilanit dhe Dragashit)”, ka përfunduar Thaçi.
Në anën tjetër edhe veterinari, Bledion Rushiti për Portalin Dukagjini ka dhënë detaje më shumë në lidhje me këtë sëmundje.
Ai ka thënë se murtaja afrikane e derrave është një kërcënim serioz për sistemet e prodhimit të derrave pasi kërcënon sigurinë ushqimore me pasoja të mëdha për tregtinë ndërkombëtare për shkak të kufizimeve tregtare.


