Lajme

Autoritetet gjermane konfirmuan se i dyshuari sirian në sulmin me thikë ka pranuar fajësinë

08/25/2024 22:32
nga:N K

Një i dyshuar në ndalim nga policia gjermane pas një sulmi me thikë në qytetin Solingen, i cili vrau tre persona dhe plagosi tetë të tjerë, është një 26-vjeçar sirian, thanë autoritetet të dielën, ndërsa po hetonin lidhjet e tij të mundshme me Shtetin Islamik.

Incidenti, së bashku me pretendimin e grupit militant për përgjegjësi, shkaktoi shqetësim mes disa politikanëve që bënë thirrje për rritjen e sigurisë, kufizime më të rrepta për armët, dënime më të ashpra për krimet e dhunshme dhe kufizime të imigracionit, ka raportuar Reuters.

Sulmi ndodhi gjatë një festivali të premten në mbrëmje në një shesh tregu ku banda muzikore performonin për të festuar 650-vjetorin e historisë së Solingen-it.

Njerëzit e pikëlluar krijuan një memorial të improvizuar pranë vendit të ngjarjes.

I dyshuari u dorëzua vetë vonë të shtunën dhe pranoi krimin, thanë policia dhe prokurorët e Düsseldorf-it në një deklaratë të përbashkët herët të dielën.

Prokurorët federalë gjermanë identifikuan burrin sirian si Issa Al H., duke hequr mbiemrin e tij për shkak të ligjeve gjermane të privatësisë, dhe thanë se ai dyshohej të ishte anëtar i të ashtuquajturit Shtetit Islamik.