Një aksident i rëndë ka ndodhur herët të shtunën në Brazil, ku një autobus i mbushur me pasagjerë përplasi një kamion dhe shpërtheu në flakë, duke shkaktuar më shumë se 30 viktima, sipas raporteve nga departamenti i zjarrfikësve.
Aksidenti ndodhi në një autostradë kryesore pranë qytetit Teofilo Otoni, në shtetin Minas Gerais.
Pas largimit të trupave të pajetë, zjarrfikësit njoftuan se nga 45 pasagjerët që ndodheshin në autobus, 38 prej tyre, përfshirë edhe shoferin e autobusit, ishin konfirmuar të vdekur.
Të tjerët që ishin në autobus ndodhen në gjendje të rëndë dhe janë transportuar në spitalin lokal, raporton Reuters.
Shoferi i kamionit u largua nga vendi i aksidentit, ndërsa tre pasagjerë të një makine, e cila u përplas me kamionin dhe u bllokua nën të, arritën të mbijetonin.
Një hetim për të përcaktuar shkakun e aksidentit është në zhvillim e sipër, pasi janë mbledhur dëshmi të ndryshme nga dëshmitarët, tha departamenti i zjarrfikësve.
Fillimisht, zjarrfikësit njoftuan se aksidenti mund të ketë ndodhur për shkak të një defekti në goma e autobusit, që e ka bërë shoferin të humbasë kontrollin, përpara se të përplasej rreth orës 4:00 të mëngjesit, me kamionin që vinte nga drejtimi i kundërt në autostradën federale BR-116, një rrugë kyçe që lidh juglindjen e Brazilit, një zonë me popullsi të madhe, me veri-lindjen më të varfër të vendit.