Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca ka thënë se Ministria e Infrastrukturës e cila drejtohet nga Liburn Aliu, nuk i ka udhëhequr aktivitetet e saja në pajtueshmëri me ligjet.
Ajo bëri të ditur se të gjeturat e auditimit tregojnë se mangësitë në këtë ministri janë të shtrira në fushën e prokurimit publik.
“Është kryer auditimi në standarde ndërkombëtare. Buxheti i ministrisë ka qenë diku 145 milionë euro dhe normal se duke pasur veprimtarinë që e ka dhe projektet kapitale që i udhëheq, edhe në vitin e kaluar, edhe këtë vit, kemi vërejtur çështje në mos-pajtueshmëri me ligjet dhe rregulloret në fuqi”, deklaroi Spanca.
Sa i përket opinionit të auditimit, Auditorja Gjenerale theksoi se është opinion i kualifikuar, teksa shtoi se nuk është i mirë, shkruan Paparaci.
“Përderisa, te konkluzionet kemi dhënë konkluzion të kundërt. Ministria e Infrastrukturës, aktivitetet e saja nuk i ka udhëhequr në pajtueshmëri me ligjet. Mangësitë janë të shtrira në fushën e prokurimit publik”, vijoi Spanca në një intervistë në Kanal 10.


