Lajme

“Aty rrodhën lotët e gëzimit”/ Besim Hasani tregon emocionet për pjesëmarrjen e Kosovës në Lojërat Olimpike RIO 2016

12/25/2025 16:51
nga:G B

Ish presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, tani kandidat për deputet nga PDK, ka rrëfyer fitoret e sportistëve kosovarë, sidomos në xhudo, kur janë marrë medalje olimpike.

Për një ndjenjë të tillë, ai thotë se ia vlen të punohet tërë jetën.

“Është një ndjenjë që ia vlen me punu tërë jetën për ta përjetuar si të tillë, kur u hap rruga për pjesëmarrje në lojërat olimpike, Majlinda Kelmendi me Nora Gjakovën, fituan normën olimpike u ftuan edhe 6 sportistë të tjerë, pra delegacioni ynë përbëhej nga 8 sportistë të cilët bashkë me trajnerët e tyre defiluan në hapjen solemne për herë të parë para afër 5 miliardë shikuesve sa i përcillnin lojërat olimpike, valonte flamuri i Kosovës dhe ishte një histori në vete. Pastaj filluan garat, Majlinda Kelmendi edhe pse nuk e kishte pjesëmarrjen e parë në lojërat olimpike, sepse 4 vite më herët e përfaqësonte Shqipërinë në pamundësi për të përfaqësuar Kosovën, filloi me një maturi të jashtëzakonshme dhe filloi t’i fitojë luftërat një pas një, dhe përfundimisht arriti në finale, dhe finalja ishte plotë me ankth se çfarë do të ndodhë në finale, kishte një kundërshtare shumë të fortë nga Italia, por përfundimisht Majlinda triumfoi dhe aty rrodhën lotët e gëzimit, krejt delegacioni që ishim prezent. Se sa e rëndësishme ka qenë kjo medalje e Majlindës tregon edhe një e dhënë e CNN, kur thuhet 10 arsyet se pse do të mbahen mend Lojërat Olimpike RIO 2016, dhe në mesin e tyre numërohet edhe Majlinda Kelmendi sepse Majlinda fitoi në paraqitjen e saj të parë për Kosovën fitoi medaljen e artë, nga një vend i posa njohur, nga një vend i cili e kalonte atë fazën e tranzicionit, një vend i varfër por me sportistë të mëdhenj, me zemër të madhe. Majlindës dhe fituesve të tjerë Kosova u ka shumë borxh, sepse nuk ka formë më të mirë për të nderuar dhe lartësuar shtetin e Kosovës përmes sportit”, ka deklaruar ai për Gazeta Blic.