Qeveria e Kosovës e cila kishte premtuar se rreth 100 milionë euro më shumë në këtë vit do të shkojnë në ndihmë për projekte të ndryshme nëpër komuna të Kosovës, del të jetë premtim i rremë, të paktën për komunat që nuk i ka nën udhëheqje.
Burime të Gazetës Blic bëjnë me dije se 18 komuna të Kosovës nuk do ta kenë përkrahjen e Qeverisë Kurti për projekte të reja.
Ndërsa, siç merr vesh GazetaBlic 51% e mjeteve do të shkojnë në komunat që udhëhiqen nga partia në pushtet.
Kujtojmë se, muaj më parë Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim buxhetin e Kosovës prej 3 miliardë e 212 milionë euro për vitin 2023, ku 660 milionë i dedikohen qeverisjes lokale dhe komunave, me një rritje për rreth 100 milionë euro, nga 560 sa ishin në vitin 2022. Megjithatë, me këtë ndarje ishin shprehur të pakënaqur disa nga drejtuesit e komunave.
Për projektligjin e buxhetit fillimisht ankesa kishte Asociacioni i Komunave të Kosovës, ku kanë thënë se në vitin 2020 komunat kanë pranuar 21.7% të mjeteve buxhetore nga buxheti i Kosovës. Në vitin 2021, 22.1%, kurse në vitin 2022 kjo ka rënë në 19.6. Ndërsa në vitin 2023, do të jetë 20.5%.
Lidhur me këtë projektligj, Qeveria është akuzuar nga Asociacioni i Komunave dhe partitë politike edhe sa i përket autonominë financiare të komunave, pasi është paraparë që mjetet e pashpenzuara nga viti paraprak të bëhen pjesë e Fondit të Kosovës. Kjo është vlerësuar edhe në kundërshtim me Ligjin e Financave të Pushtetit Lokal.
/GazetaBlic/
Komunat të pakënaqura me buxhetin për vitin 2023 – Kanë disa kërkesa
‘Ndarja e buxhetit për komunat s’duhet të ketë ngjyrim politik’ – thonë ekonomistët


