Sporti

Atletico Madrid mbetet pa një sulmues kyç para çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve

04/09/2024 08:15
nga:Lorik J

Atletico Madrid ka njoftuar zyrtarisht se sulmuesi Memphis Depay nuk do të luajë në ndeshjen e parë të çerekfinales së Ligës së Kampionëve, ndeshjen në shtëpi kundër Borussia Dortmundit.

Sulmuesi holandez 30-vjeçar është lënduar në stërvitje, gjë që sigurisht do të jetë një handikep për skuadrën e drejtuar nga argjentinasi Diego Simeone.

Në fund të fundit, Depay ishte një nga heronjtë e Atleticos në kalimin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve të këtij sezoni. Holandezi shënoi një gol në minutën e 87-të kundër Interit që e dërgoi takimin në kohën shtesë dhe më pas Madridi e eliminoi finalistin e sezonit të kaluar me penallti.

Atletico nuk njoftoi se sa kohë do të jetë jashtë Depay për shkak të një dëmtimi muskulor, por disa media spanjolle raportojnë se pauza mund të zgjasë tre deri në katër javë, që do të thotë se Atletico do të jetë pa holandezin edhe në ndeshjen e kthimit në Dortmund. Ndeshja e parë mes Atleticos dhe Borussias do të luhet në Madrid këtë të mërkurë, ndërsa ndeshja e dytë është caktuar për 16 prill.

/GazetaBlic Sport