Sporti

“Atletico luan fort në shtëpi”, Ancelotti nuk i trembet “Los Colchoneros”: Më ngrohin fjalët e Sacchi-t

01/18/2024 15:45
nga:E K

Vetëm 4 ditë pas triumfit të madh, 4 me 1, në finalen e Superkupës së Spanjës, ndaj “Katalanasve” të Barcelona, mbrëmjen e së enjtes, “Galaktikët” e Real Madrid do të udhëtojnë drejt “Metropolitano Stadium”, për një tjetër “derbi”, në vetëm 7 ditë, pasi do të përballen me “Los Colchoneros” e Atletico Madrid, në përballjen e vlefshme për fazën e 1/8-ve të Copa del Rey.

Si zakonisht, në prag të kësaj sfide është zhvilluar edhe konferenca për shtyp, nga ky disa fjalë i tha edhe tekniku, Carlo Ancelotti, i cili tregoi se pas fitores së Superkupës ka pasur një bisedë interesante edhe ish-trajnerin e tij te “Kuqezinjtë” e Milan, Arrigo Sacchi, i cili njëkohësisht është edhe ish-trajner i “Bardhekuqve” të Madridit.

“Më pëlqen atmosfera që kemi në klub dhe në dhomat e zhveshjes. Ky është suksesi, shpirti i fort i ekipit. Dhe ne po luajmë futboll të mirë, solid dhe me ide të qarta. Këto nuk janë vetëm fjalët e mia, Sacchi mi tha dje në telefon këto, atmosferë e mirë, ekip që luan me shpirt dhe duke një skuadër që bënë një futboll të mirë. Ne jemi këtu pas një suksesi shumë të rëndësishëm në Superkupë, që për të shkuar te trofeu u përballëm edhe me Atleticon dhe fituam.

Vinicius? Më pëlqen ajo që bën, është një lojtar i jashtëzakonshëm. I duhej kohë dhe ja ku jemi, ai është përsëri në formën e tij më të mirë. Valverde? Ai është thelbësor për ne, por e kam pak të paqartë se ku ai dëshiron të luajë, por unë e di shumë mirë që ai jep maksimumin në çdo pozicion”,- u shpreh fillimisht tekniku italian.

Mirëpo, nëse do të merremi me statistikat, kjo do të jetë sfida e tretë këtë sezon, mes këtyre dy skuadrave, me të parën që u fitua nga skuadra e Diego Simeone, ndërsa e dyta nga “Galaktikët” dhe gjatë konferencës për shtyp, Ancelotti nuk ngurroi të fliste as për pritshmëritë e kësaj sfide, e cila siç thamë do të zhvillohet në “shtëpinë” e “Los Colchoneros”.

“Do të jetë një ndeshje më e komplikuar se në Superkupë, sepse Atletico është një skuadër shumë e fortë në ‘shtëpi’. Nuk mendoj se derbit e mëparshëm na japin një avantazh psikologjik. Çdo ndeshje është e ndryshme.

Provokimet në stadium gjatë ndeshjes? Nuk kemi punuar fare për këtë. Po luajmë kundër një kundërshtari shumë të vështirë, është një ndeshje mes dy skuadrave që mund të fitojnë turneun dhe kjo flet për nivelin e duelit, aq më tepër që gjithçka do të vendosen në këtë ndeshje”, u shpreh “strategu” italian.